Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë, pasi rreziku nga zjarret në natyrë mbetet i lartë pas javësh me kushte të thata.
“Disa ditë më të freskëta nuk do t’i zhbëjnë javët me kushte të thata. Rreziku nga zjarret në natyrë mbetet i lartë”, shkroi Khan në rrjetin social amerikan X.
Ai paralajmëroi se terreni i thatë dhe sjellja e pakujdesshme mund të shkaktojnë shpejt zjarre, ndërsa u bëri thirrje londinezëve të “veprojnë me përgjegjësi” dhe të raportojnë në polici çdo rast të dyshuar zjarrvënieje të qëllimshme.
Javën e kaluar, Britania e Madhe ndaloi përkohësisht barbekjut njëpërdorimëshe në të gjithë vendin, për shkak të shqetësimeve se ato përbëjnë një “rrezik të konsiderueshëm për publikun” në kushtet e thatësirës dhe valëve të të nxehtit.
Masa u ndërmor pasi çështja u diskutua gjatë një takimi emergjent të ministrave të kabinetit dhe zyrtarëve të tjerë, të kryesuar nga kryeministri Andy Burnham, lidhur me reagimin e qeverisë ndaj temperaturave rekord.
Burnham e përshkroi situatën si një “fuçi baruti”, ndërsa ekipet e zjarrfikësve në West Midlands vijojnë të luftojnë me disa vatra zjarri.
Në një video-mesazh të publikuar në X, ai tha se zjarret e fundit në natyrë janë tregues të ndryshimeve klimatike.
“Ky është ndryshimi klimatik ashtu siç duket, këtu dhe tani”, deklaroi Burnham, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar është përballur me një numër zjarresh në natyrë gjatë ditëve të fundit.
“Nuk duhet ta pranojmë thjesht këtë si diçka të pashmangshme, dhe unë nuk e pranoj”, shtoi ai.
