Gjermania ka zhvilluar bastisjet e para në bazë të një ligji të ri që synon të godasë rrjetet e kontrabandistëve, të cilët e përdorin territorin gjerman si pikë tranziti për dërgimin e varkave të vogla drejt Kanalit Anglez, ka mësuar BBC.
Gjatë një operacioni të përbashkët këtë pranverë, ku morën pjesë autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë, policia sekuestroi në rajonin e Rhein-Westfalisë Veriore më shumë se 9,000 jelekë shpëtimi, dhjetëra gomone dhe motorë, si dhe 360 pompa.
Varkat dhe pajisjet e sekuestruara po ruhen aktualisht në një vend sekret. Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar, këto mjete mund të jenë përdorur për të transportuar ilegalisht më shumë se 2,000 emigrantë përmes Kanalit Anglez.
Për një kohë të gjatë, bandat e kontrabandës kanë përdorur garazhe dhe depo në Gjermaninë perëndimore për të magazinuar pajisjet, përpara se ato të transportoheshin drejt Francës veriore.
Megjithatë, Berlini miratoi dhjetorin e kaluar një ligj të ri, i cili e përcakton si vepër penale lehtësimin e kontrabandës së emigrantëve drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Më parë, ligjet kryesore gjermane kundër kontrabandës zbatoheshin vetëm për vendet brenda zonës së lëvizjes së lirë të Bashkimit Evropian dhe jo për vendet e treta. Pas Brexit-it, Mbretëria e Bashkuar konsiderohet një vend i tillë.
Edhe më parë janë zhvilluar bastisje në Gjermani, por në shumë raste ato janë mbështetur në urdhër-arreste të lëshuara nga autoritetet franceze ose belge.
Në vitin 2024, Gjermania njoftoi se do të forconte legjislacionin e saj për ta bërë më të lehtë ndjekjen penale të personave që ndihmojnë në transportimin e emigrantëve drejt Mbretërisë së Bashkuar. Masa ishte pjesë e një plani të ri të dakordësuar mes dy vendeve.
