Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor kanë firmosur udhëzimin për organizimin dhe funksionimin e komisionit shtetëror të artit në hapësirat publike.
Postimi i ministrit Gonxhe:
FIRMOSET UDHËZIMI PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT SHTETËROR TË ARTIT NË HAPËSIRAT PUBLIKE!
Arti publik nuk mund të jetë më rezultat i improvizimit, nismave të rastësishme apo ndërhyrjeve pa kriter në hapësirat që i përkasin të gjithëve.
Me Udhëzimin e ri, të firmosur mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, vendosim rregulla të qarta, standarde profesionale dhe përgjegjësi konkrete për mënyrën se si veprat e artit bëhen pjesë e hapësirës publike, bazuar në Vendimin e Qeverisë Nr. 224, datë 1.4.2026 PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË SHFRYTËZIMIT TË HAPËSIRËS PUBLIKE.
Fund preferencave amatore dhe ndërhyrjeve pa sens artistik, urbanistik apo arkitektonik. Monumentet, memorialet, bustet, skulpturat, muralet dhe instalacionet artistike do t’i nënshtrohen një procesi të strukturuar shqyrtimi dhe vlerësimi profesional.
Si funksionon?
Çdo subjekt publik apo privat paraqet kërkesën pranë bashkisë ku propozohet vendosja e veprës. Bashkia shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin dhe, pas vlerësimit paraprak, ia përcjell propozimin Ministrisë përgjegjëse për kulturën, përmes Sekretariatit Teknik. Komisioni Shtetëror e vlerëson propozimin në aspektin artistik, estetik, urbanistik dhe arkitektonik dhe vendimi i tij i përcillet bashkisë për vijimin e procedurave përkatëse. Pa miratimin e Komisionit, kërkesa për vendosjen e veprës në hapësirën publike refuzohet.
Të njëjtat standarde vlejnë për të gjithë, pavarësisht nëse një vepër financohet nga buxheti i shtetit, bashkitë, subjektet private, donatorët apo partneritetet publike-private.
Hapësira publike nuk është një hapësirë ku secili mund të vendosë çfarë të dojë. Ajo ndërton imazhin e qyteteve tona, ruan kujtesën dhe formëson identitetin tonë të përbashkët.
Një proces orientues dhe koordinimi ndërinstitucional do të lehtësojë zbatimin e këtij udhëzimi.
