Dy shtetas shqiptarë, 37 dhe 44 vjeç, janë arrestuar nga policia greke në ishullin e Mykonosit, nën dyshimin për posedim, ruajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Të arrestuarit janë identifikuar si Petrit Myzyri nga Berati dhe Daniel Dhamaj nga Vlora.
Operacioni u zhvillua nga oficerët e Nëndrejtorisë së Policisë së Mykonosit, pas një hetimi dhe monitorimi të aktivitetit të dyshuar të dy shqiptarëve.
Sipas autoriteteve greke, dy të arrestuarit dyshohet se vepronin së bashku në trafikimin e lëndëve narkotike dhe kishin fshehur një sasi të konsiderueshme droge në një automjet privat, të cilin e përdornin për transport.
Gjatë operacionit, kontrollet u kryen në një banesë, një motoçikletë dhe dy automjete private që përdoreshin nga të dyshuarit.
Në total, policia sekuestroi 365.8 gramë MDMA, të ndarë në gjashtë pako, 76.3 gramë kokainë rozë, të ndarë në 19 pako, si dhe 36.5 gramë kokainë të ndarë në 41 pako.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve u gjetën 36 tableta farmaceutike pa recetë, 65,900 euro dhe 125 dollarë amerikanë. Sipas policisë greke, këto shuma dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i trafikimit të drogës.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar edhe tre telefona celularë, peshore precize dhe materiale të përdorura për paketimin e lëndëve narkotike.
Dy shqiptarët janë arrestuar dhe ndaj tyre është ngritur çështje penale. Ndërkohë, hetimet nga autoritetet greke vijojnë për të zbardhur të plotë aktivitetin e dyshuar dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rrjetin e trafikimit.
