Administrata Doganore ka rikujtuar tatimpaguesit se deri më 31 dhjetor 2026 vijon afati për përfitimin nga falja me kusht e detyrimeve doganore. Sipas skemës, pagesa e 75% të detyrimit kryesor brenda afatit sjell shuarjen e 25% të mbetur.
Sipas njoftimit të administratës, subjektet që plotësojnë kushtet e përcaktuara në Ligjin e Faljes kanë ende mundësi të përfitojnë nga shuarja me kusht e detyrimeve doganore.
Për detyrimet e periudhës 2015–2019, pagesa e 75% të detyrimit kryesor deri më 31 dhjetor 2026 sjell fshirjen e 25% të mbetur, ndërsa gjobat dhe kamatëvonesat për këtë periudhë fshihen plotësisht.
Administrata Doganore u ka bërë thirrje tatimpaguesve të mos e shtyjnë procedurën deri në fund të vitit dhe të drejtohen pranë degës doganore përkatëse për të verifikuar nëse përmbushin kushtet për përfitim.
Ligji i faljes parashikon edhe lehtësime për detyrimet më të reja. Për detyrimet e periudhës 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, faza e parë parashikonte që tatimpaguesit të paguanin 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, ndërsa pjesa e mbetur të fshihej.
Tashmë është në zbatim faza e dytë e fshirjes me kusht, si për detyrimet doganore, ashtu edhe për ato tatimore. Nëse paguhet 75% e detyrimit deri më 31 dhjetor 2026, edhe përmes kësteve mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht. Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.
Ndërkohë, ligji parashikon edhe fshirjen e gjobave për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 2020–2024, me kushtin që të paguhet plotësisht principali.
Për detyrimet e krijuara nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave mund të përfitohet nëse principali shlyhet plotësisht deri më 31 dhjetor 2026.
Borxhi doganor arrin në 48.5 miliardë lekë
Sipas të dhënave për detyrimet doganore të papaguara deri më 31 dhjetor 2024, borxhi në Dogana arrin në 48.5 miliardë lekë, ose rreth 500 milionë euro. Kjo shumë i përket 4,684 debitorëve.
Principali përbën 27% të totalit, me një vlerë prej 13.1 miliardë lekësh. Pjesën më të madhe të borxhit e zënë gjobat, në vlerën 26.5 miliardë lekë, ose 55% të totalit, ndërsa kamatëvonesat arrijnë në 8.9 miliardë lekë, rreth 18% të totalit.
Sa i përket vjetërsisë së detyrimeve, borxhet doganore të papaguara prej më shumë se 10 vitesh arrijnë në 25.7 miliardë lekë. Detyrimet e papaguara prej 5 deri në 10 vjet janë 18.2 miliardë lekë, ndërsa ato të periudhës 1 deri në 5 vjet kapin vlerën e 4.5 miliardë lekëve.

