Pretendoi se spiunoi gjithë jetën Al-Kaedën tek CIA, por tani shqiptari nga Kosova B.S, ish-pjesëtar i organizatës terroriste, ndodhet prej më shumë se dy javësh në qendrën e ndalimit të Njësisë kundër emigracionit të paligjshëm (ICE) dhe rrezikon dëbimin nga Shtetet e Bashkuara.
55-vjeçari u arrestua në Nju Xhersii teksa po rinovonte shtyrjen e afatit te largimit nga vendi që e ka përfituar prej 2022-shit, prej rrezikut të kapjes dhe torturës së tij nga terroristët, nëse ai dëbohej nga Shtetet e Bashkuara. B.S, i cili mbërriti në këtë vend në vitin 1994, u rekrutua nga zbulimi amerikan, pasi vuante një dënim për trafik droge dhe u infiltrua mes celulave radikale islamike.
B.S pretendon se për gati një dekadë, ai shërbeu si informator kyç për CIA-n, FBI-në dhe DEA-n, duke udhëtuar në kampet e ISIS-it në Siri, si dhe në Liban, Jordani e Pakistan. Informacionet e tij çuan në arrestimin e anëtarëve të Al-Kaedës, Hezbollahut dhe Al-Shabaab, si dhe parandaluan sulme të mundshme terroriste.
Avokatët e tij kanë paditur së fundmi autoritetet federale, duke e cilësuar ndalimin e tij si një tradhti të papranueshme ndaj njeriut që rrezikoi jetën për sigurinë e Amerikës. Mediat amerikane thonë se kanë kërkuar një reagim nga CIA dhe FBI për rastin e tij, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
