SHKODËR- Petrit Ndoci, një i dënuar në burgun e Reçit, është arratisur. Ai kishte marrë leje nga Drejtoria e Burgjeve, por burime bëjnë me dije se nuk është kthyer më në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Ndoci duhej të paraqitej në burg sot në orën 12:30. Punonjësit e institucionit e kanë telefonuar në numrin e kontaktit, por në telefon është përgjigjur vëllai i tij, i cili ka treguar se Ndoci ishte larguar.
Sipas informacioneve, përpara se të largohej, i dënuari kishte lënë një letër për familjarët.
“Po largohem, ju dua shumë”, citohet të ketë shkruar ai.
Ndoci po vuante dënimin për veprat penale “vjedhje me dhunë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Mësohet se atij i kishin mbetur rreth dy vite burgim për të përfunduar dënimin.
