Vijon në Gjykatën e Sarandës seanca për caktimin e masave të sigurisë për 11 personat e arrestuar në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit portugez, Luis Mendes.
Të arrestuarit janë shoqëruar në gjykatë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa jashtë ambienteve të institucionit kanë qenë të pranishëm edhe të afërm të Sokrat Vatës, i dyshuar si autor i ngjarjes.
Në momentin e mbërritjes së të arrestuarve në gjykatë, një grua është dëgjuar duke iu drejtuar Vatës: “Sokrat, jemi këtu o shpirt”.
Ndërsa një tjetër person, një burrë, e ka thirrur në gjuhën turke: “Sokrat, abi”, që në shqip do të thotë “Sokrat, vëlla”.
Për shoqërimin e të arrestuarve janë angazhuar forcat “Shqiponja” dhe FNSH-ja.
Sokrat Vata akuzohet për vrasje, ndërsa ndaj 10 personave të tjerë janë ngritur akuza të ndryshme, përfshirë “përkrahje të autorit të krimit”, “moskallëzim krimi” dhe “mosmarrja e masave për ndërprerjen e paligjshmërisë”.
Seanca për caktimin e masave të sigurisë vijon prej më shumë se një ore.
