Skandali i subvencioneve bujqësore në Greqi mund të marrë përmasa edhe më të mëdha, pasi një analizë e POLITICO-s ka zbuluar mospërputhje të ndjeshme mes numrit të kafshëve të deklaruara në regjistrat zyrtarë dhe atyre për të cilat janë paguar fonde nga të Bashkimit Europian.
Sipas POLITICO-s, në vitin 2024 autoritetet greke kanë paguar subvencione europiane për rreth 260 mijë lopë qumështi dhe rreth 70 mijë gjedhë të therur. Megjithatë, të dhënat e agjencisë greke të statistikave ELSTAT tregojnë se numri i përgjithshëm i gjedhëve në vend ka ardhur duke u zvogëluar.
Nga rreth 640 mijë krerë në vitin 2023, numri ra në rreth 600 mijë në vitin 2024 dhe më pas në 520 mijë në vitin 2025.
POLITICO vëren se, duke marrë parasysh lindjet e pritshme të viçave dhe numrin e kafshëve që largohen çdo vit nga tufa për shkak të therjes, moshës apo sëmundjeve, numri total i gjedhëve duhej të ishte rritur me rreth 70 mijë gjatë vitit 2024.
Në vend të kësaj, statistikat zyrtare tregojnë një rënie me rreth 40 mijë krerë.
Kjo krijon dyshime se subvencionet mund të jenë paguar për dhjetëra mijëra kafshë më shumë sesa ekzistonin realisht në vend.
Mospërputhje të mëdha janë konstatuar edhe te delet dhe dhitë. Sipas ELSTAT-it, në vitin 2025 Greqia kishte rreth 8.8 milionë dele dhe dhi, ndërsa në Sistemin e Integruar të Informacionit Veterinar të Ministrisë së Bujqësisë rezultonin të regjistruara rreth 15.7 milionë.
Ekspertë dhe përfaqësues të fermerëve të cituar nga POLITICO thonë se Greqia nuk ka ende një regjistër të sigurt dhe plotësisht të besueshëm të bagëtive.
“Nuk ka mbikëqyrje dhe nuk mund të kemi një shifër të saktë, sepse nuk ka të dhëna të sakta”, deklaroi Nikos Dimopoulos, kreu i Shoqatës së Fermerëve të Blegtorisë në Kavala.
Sipas tij, vetëm një regjistrim kombëtar i kafshëve do të mund të përcaktonte numrin real të tyre.
Çështja vjen në një moment kur Greqia është përfshirë prej muajsh në një skandal të gjerë me subvencionet bujqësore të Bashkimit Europian.
Prokuroria Publike Europiane, EPPO, po heton dhjetëra raste ku persona dyshohet se kanë përfituar fonde europiane për toka që nuk i zotëronin apo nuk i kishin marrë me qira, si dhe për aktivitete bujqësore që nuk ishin kryer.
Në korrik, EPPO njoftoi ngritjen e akuzave ndaj 22 personave, mes tyre edhe katër deputetë të partisë në pushtet Demokracia e Re, në kuadër të hetimit për mashtrim me subvencionet bujqësore. Të gjithë të akuzuarit kanë mohuar shkeljet.
Në një prej rasteve të shqyrtuara nga prokurorët europianë, një fermer dyshohet se ka përfituar subvencione për një numër më të madh lopësh sesa kishte realisht. Sipas dokumenteve të cituara nga POLITICO, një veteriner dyshohet se kishte ndryshuar numrin e kafshëve në databazën zyrtare, duke rritur shumën e subvencionit që fermeri mund të përfitonte.
Skandali çoi edhe në mbylljen e agjencisë greke OPEKEPE, e cila ishte përgjegjëse për shpërndarjen e fondeve bujqësore të BE-së.
Qeveria greke ka premtuar reforma dhe kontrolle më të forta. Mes masave të reja është edhe identifikimi elektronik i deleve dhe dhive përmes pajisjeve të posaçme, një sistem që pritet të testohet fillimisht në fermat e mëdha.
Në muajin mars, Athina i paraqiti gjithashtu Bashkimit Europian një plan masash për të parandaluar shpërndarjen e padrejtë të fondeve bujqësore.
Komisioni Europian ka deklaruar se po bashkëpunon me autoritetet greke për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të subvencioneve.
“Është bërë mjaft progres, por ka ende punë për të bërë”, është shprehur Komisioneri europian për Bujqësinë, Christophe Hansen.
Zbulimet e fundit të POLITICO-s tregojnë megjithatë se problemi mund të jetë më i thellë se rastet individuale të mashtrimit dhe lidhet edhe me vetë mënyrën se si Greqia regjistron dhe kontrollon numrin e kafshëve për të cilat shpërndahen miliarda euro subvencione europiane.
