Janë zbardhur detaje të tjera nga dosja hetimore për vrasjen e turistit portugez në Ksamil, Luis Miguel Varela Mendes. Në dëshminë e tij para hetuesve, DJ i klubit, Armand Zeneli, ka treguar momentet menjëherë pas ngjarjes dhe lëvizjet e Sokrat Vatës.
Sipas dëshmisë së Zenelit, Vata i është drejtuar atij për ta çuar në spital, pa i treguar se çfarë kishte ndodhur. DJ ka deklaruar se 32-vjeçari ishte i mbuluar me gjak dhe mbante dorën poshtë bluzës, në pjesën e barkut.
“Rreth orës 05:00 të datës 18.08.2026 pashë rojet e sigurisë që iknin me vrap në drejtim të hyrjes së klubit. Në vazhdim kur isha te pjesa e restorantit kanë ardhur një grup kolegësh pune të panikosur të cilët më thanë ‘merre Sokratin dhe çoje në spital se ti ke makinë këtu afër’.
Në drejtimin tim ka ardhur Sokrat Vata i cili ishte i gjakosur kokë e këmbë dhe mbante dorën poshtë bluzës në pjesën e barkut dhe më ka thënë disa herë “ku e ke makinën, më ço në spital, nxito o …’. Unë njoftova menaxherin në lidhje me situatën dhe më pas ika me vrap për të marrë makinën te parkimi dhe kur dola jashtë pashë një grup turistësh të cilët po i jepnin ndihmë një personi të shtrirë në tokë.
Kam marrë makinën dhe në pjesën e sipërme të lokalit ka dalë Sokrati i cili kishte hipur në pjesën e pasme të makinës dhe u nisa menjëherë në drejtim të qendrës shëndetësore të Ksamilit, ku Sokrati gjatë rrugës më tha ‘ik vetëm drejt’ dhe pas dy-tre minutash kur shkuan në një rrugë me kalldrëm Sokrati më ka thënë ‘ndalo këtu’ dhe ka ikur zbathur. Disa metra pak larg makinës vura re që Sokrati hodhi diçka me forcë”, ka treguar ai para hetuesve.
Pas këtij momenti, Zeneli ka rrëfyer se është larguar drejt banesës, ku ka shkuar i shokuar nga ajo që kishte ndodhur.
Pasi është qetësuar, DJ ka telefonuar Policinë dhe ka ofruar ndihmën e tij për identifikimin dhe kapjen e Sokrat Vatës, i cili dyshohet për vrasjen e turistit portugez në Ksamil.
