Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një përmbledhje të diskutimeve të zhvilluara gjatë takimeve dyditore në Pogradec, ku u mblodhën drejtuesit politikë të qarqeve, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Në fokus të diskutimeve ka qenë ndryshimi i qasjes në qeverisje dhe forcimi i vëmendjes ndaj problematikave të qytetarëve. Rama ka kërkuar që shqetësimet e tyre të jenë në qendër të punës së drejtuesve politikë dhe ministrave.
“Fiksimi ynë duhet të jetë shqetësimi i çdo qytetari, prandaj drejtuesit politikë duhet t’iu japim fuqi që ta ndjekin territorin aty dhe ministrave do t’u duhet t’iu japim detyrimin që çdo muaj të ndjekin vetë personalisht të gjithë drejtoritë. Nëse është një grup deputetësh që fokusohen bashkë dhe i marrin në analizë bashkë, atëherë ndryshojnë gjërat”, deklaroi Rama.
Socialistët e konsiderojnë të nevojshëm reflektimin pas viteve të gjata në qeverisje, me synimin që dëgjimi i problemeve të qytetarëve të përkthehet në vendimmarrje dhe rezultate konkrete.
Në këtë kuadër, në diskutime është referuar edhe dokumenti strategjik “Besa” dhe “Prania Besnike”. Mirela Kumbaro tha se dokumenti “Besa” synon të përcaktojë emra konkretë për shqetësimet që artikulohen në publik.
“Besa dhe Prania Besnike ngrenë një shqetësim shumë domethënës. Pas një periudhe të gjatë qeverisje ekziston rreziku i erozionit të besimit”, u shpreh Arbian Mazniku.
Ndërsa Erion Malaj theksoi se sfida kryesore mbetet kthimi i dëgjimit të qytetarëve në vendimmarrje dhe rezultate konkrete.
Ministri i Energjisë, Enea Karakaçi, propozoi që çdo dikaster të ketë një njësi “Besa”. Adea Pirdeni, nga ana tjetër, u shpreh se mungesa e performancës nuk duhet të kalojë pa pasoja.
Për Fatmir Xhafajn, synimi duhet të jetë forcimi i marrëdhënies mes qeverisë dhe qytetarëve, ndërsa Bledi Çuçi e cilësoi dokumentin “Besa” si një kërkesë që vjen nga vetë shoqëria.
Në nisjen e këtij sezoni të ri politik, Rama ka deklaruar se ndërveprimi me qytetarët do të pësojë një rritje cilësore, ndërsa energjitë e reja synojnë të çojnë përpara hapat drejt objektivit “Shqipëria 2030”.
“Ndjesia e mirë e një sezoni politik me energji të reja dhe të tjerë hapa vendimtarë drejt Shqipërisë 2030, ku rritja cilësore e ndërveprimeve me njerëzit do të jetë domethënëse, buron edhe nga fakti i angazhimit e reflektimit serioz që mori formë në dy ditët e maratonës së Pogradecit”, shkroi Rama.
Maratona dyditore e takimeve në Pogradec përfundoi një ditë më parë. Në një video live drejtuar qytetarëve, Rama vuri theksin te përmirësimi i marrëdhënies mes qytetarëve dhe qeverisë, rritja e cilësisë së jetesës, si dhe përgatitja e një plani për transparencën e çmimeve të produkteve ushqimore.
