Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar garën e pritshme për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke konfirmuar se primaret mbeten pjesë e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve.
Berisha tha se ende nuk është marrë asnjë vendim për përjashtimin e primareve, ndërsa theksoi se përgatitjet për zgjedhjet vendore kanë nisur dhe se hapja zyrtare e garës pritet të bëhet së shpejti.
“Jo, nuk ka asnjë vendim që të përjashtohen primaret. Nuk ka”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, Partia Demokratike do të nisë në një kohë të afërt përgatitjet zyrtare për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
“PD në kohë shumë të afërt do të nisë përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Çështja e hapjes së garës, ndonëse në njëfarë mënyre nuk është se nuk është punuar, është punuar, por po vazhdon puna dhe në momentin më të parë do ta shpallim”, deklaroi kreu i PD-së.
I pyetur nëse opozita mund të garojë në Tiranë me një kandidat të pavarur apo nëse do të përzgjidhet një emër brenda strukturave të partisë, Berisha tha se vendimi do të merret gjatë javëve të ardhshme.
Sa i përket emrit të Ilir Alimehmetit, i cili është përmendur si një prej kandidatëve potencialë për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, Berisha vlerësoi figurën e tij, por nuk dha një konfirmim përfundimtar.
“Ilir Alimehmeti është një personalitet i shquar i PD dhe i qytetit të Tiranës. Gjithçka do përcaktohet në javët e ardhshme”, tha Berisha.
Kreu i PD-së komentoi edhe deklaratat e deputetit socialist Erion Braçe, i cili ka shprehur gatishmërinë për të garuar për Bashkinë e Tiranës dhe ka propozuar që kandidati i Partisë Socialiste të përcaktohet përmes votës së socialistëve.
Berisha e cilësoi këtë situatë si një përplasje të brendshme në Partinë Socialiste.
“Po pse do të komentoj unë kur ata shkojnë t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit? Se a nuk u shpall njëherë kjo Korba e Covid-it si kandidate? U shpall zyrtarisht nga Rama. Tani, e kupton që kjo është një luftë e brendshme midis tyre në klan”, deklaroi Berisha.
