Një 26-vjeçar është arrestuar nga Policia pasi dyshohet se po transportonte një pistoletë nga Kruja drejt Tiranës, me qëllim shitjen e saj.
Operacioni i koduar “Price” u finalizua nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, pas administrimit të informacionit të siguruar në rrugë operative.
I arrestuari është shtetasi N. D., 26 vjeç, banues në Krujë, i cili u kap në vendin e quajtur “Kthesa e Kamzës”, teksa lëvizte me automjet në drejtim të Tiranës.
Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte 26-vjeçari, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri, pistoletë, e cila dyshohet se ishte siguruar dhe po transportohej me qëllim shitjen në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti me të cilin lëvizte i arrestuari dhe telefoni i tij celular.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
