Uljan Shpataraku, ish-efektiv i Policisë së Shtetit, i arrestuar në automjet së bashku me biznesmenin Ergys Agasi, do të dalë sot përpara Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) për t’u njohur me masën e sigurisë. Seanca pritet të nisë në orën 11:00.
Shpataraku u arrestua në flagrancë për veprën penale “përkrahje e autorit të krimit”, pasi rezultoi se drejtonte automjetin tip “Audi” me të cilin po lëvizte edhe Agasi, i shpallur në kërkim prej rreth 8 muajsh nga SPAK në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderët e AKSHI-t.
Sipas të dhënave nga hetimi, pas përjashtimit nga radhët e Policisë së Shtetit dhe heqjes së lejes së armës, në banesën e Shpatarakut janë gjetur 7 armë, konkretisht 3 pistoleta, 2 shotgun dhe 2 pushkë. Armët janë sekuestruar nga autoritetet.
Tashmë pritet të përcaktohet nëse SPAK do ta hetojë Shpatarakun edhe si pjesë të grupit kriminal ku dyshohet se bën pjesë Ergys Agasi, i cili u arrestua pas një operacioni të koordinuar mes BKH-së dhe Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, ndaj Shpatarakut janë ngritur edhe dyshime për një precedent penal të mëparshëm jashtë vendit, të cilin ai nuk e ka deklaruar. Kjo rrethanë pritet të jetë objekt i verifikimeve dhe hetimeve të mëtejshme nga autoritetet.
