Krijohet një vaksinë universale kundër gripit.
Deri tani ka rezultuar efikase dhe e suksesshme tek kaviet në laborator dhe, duke u etiketuar si vaksinë jolly, ofron një mbrojtje kundër disa lloje sëmundjesh virale. Është prodhuar në mënyrë shumë të shpejtë, ekonomike e të sigurt duke përdorur si inkubator majanë e birrës, dhe jo vezët e pulës që përdoren tradicionalisht. Rezultati është prezantuar në Kongresin American Chemical Society që u mbodh në Chicago nga një grup pune bioinxhinierësh të Universitetit të Michigan.
Pjesa më e madhe e vaksinave antigrip aktualisht të disponueshme shënjestron një proteinë të pranishme në sipërfaqen e virusit, që nxit një përgjigje të fortë imunitare. Por kjo proteinë ka aftësinë të ndryshojë shumë shpejt, duke bërë të nevojshme projektimin e një vaksine të re çdo vit. Kërkuesit e universitetit të Michigan janë fokusuar tek një tjetër proteinë virale e quajtur M2, që është esenciale për prodhimin e viruseve të reja por është edhe shumë më pak e prirur të krijojë mutacione.
Vaksina u bë gati në vetëm një muaj, dhe në testet laboratorike ofron mbrojtje 100%. Pavarësisht rezultateve shumë premtuese, kërkuesit shprehen se ka ende nevojë për shumë punë dhe hapa të tjerë para se kjo vaksinë të jetë gati për eksperimentimin mbi njeriun.
