Mosha nuk do të jetë më një pengesë për të gjithë ata që duan t’i bashkohen Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka firmosur urdhrin që rishikon kufirin e moshës për pranimin në Polici dhe zgjeron mundësitë për aplikantët.
Sipas ndryshimeve të reja, kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe synojnë të angazhohen në role zbatuese, përfshirë Patrullën e Përgjithshme, mund të aplikojnë deri në moshën 35 vjeç.
Po 35 vjeç është edhe kufiri për kandidatët që synojnë të ndjekin studimet Bachelor në Akademinë e Sigurisë dhe më pas të integrohen në Policinë e Shtetit në rolin e parë drejtues, me gradën nënkomisar.
Ndërsa për profesionistët me arsim të lartë, mundësitë zgjerohen edhe më tej. Personat që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve, në profile të përshtatshme si ekonomi, financë, teknologji informacioni dhe fusha të tjera, mund të pranohen në rolin e parë drejtues deri në moshën 40 vjeç, pas përfundimit të kursit të specializuar për nënkomisarë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me punonjësit që vijnë nga institucione të tjera të sigurisë. Nëse plotësojnë kriteret dhe kalojnë procedurat përkatëse të pranimit, për ta nuk do të ketë kufizim moshe.
Vendimi i ministrit vjen pas kërkesave të shumta nga qytetarë që kanë shprehur interes për t’iu bashkuar Policisë së Shtetit.
Sipas Lamallarit, qëllimi është krijimi i mundësive më të barabarta për kandidatët, duke vlerësuar jo vetëm moshën, por edhe arsimimin, kualifikimet dhe përvojën profesionale.
Ndryshimi synon të sjellë prurje të reja në strukturat e Policisë së Shtetit dhe të forcojë profesionalizmin e saj, duke hapur rrugën për më shumë të rinj, profesionistë dhe punonjës me përvojë që duan të kontribuojnë në sigurinë e vendit.
