Qeveria ka miratuar në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë një sërë vendimesh dhe projektligjesh, që prekin fusha të ndryshme, nga mbrojtja e mjedisit dhe rindërtimi, te siguria publike, administrimi i objekteve të konfiskuara dhe marrëveshjet fiskale me vende të tjera.
Mes vendimeve të miratuara është edhe përcaktimi i kritereve për vlerësimin e kërcënimit dhe dëmit të mundshëm në mjedis, ndërsa disa projektligje lidhen me shmangien e tatimit të dyfishtë me Lituaninë dhe Gjermaninë, si dhe përdorimin e objekteve të konfiskuara për interes publik apo strehim social.
“Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije vendimet dhe projektligjet e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë, datë 02.09.2026:
Këshilli i Ministrave miratoi:
-Listën e veprimtarive që konsiderohen si të rrezikshme për mjedisin.
-Vendimin “Për miratimin e kritereve në bazë të të cilave bëhet vlerësimi i kërcënimit të mundshëm dhe përcaktimi i dëmit në mjedis”.
-Vendimin “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr. 716, datë 26.11.2025, të Këshillit të Ministrave, ‘Për shpalljen e disa zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shijak’”.
-Vendimin “Për disa ndryshime në vendimin Nr. 181, datë 30.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e riforcimit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat) në bashkitë Tiranë, Durrës, Shijak, Lezhë dhe Krujë”, të ndryshuar.
-Vendimin “Për përcaktimin e kritereve për dhënien e medaljes së Shërbimit të Rendit Publik”.
Njëherësh u miratuan edhe disa projektligje:
-“Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Lituanisë, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor, si dhe të protokollit të saj”.
-“Për ratifikimin e protokollit për ndryshimin e marrëveshjes së 6 prillit 2010, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe evazionit fiskal në lidhje me taksat mbi të ardhurat dhe kapitalin, ratifikuar me ligjin nr.10 287, datë 10.6.2010”.
-“Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”, shkruhet në njoftim.
