Situata në fshatin Lundre paraqitet shumë e agravuar dhe me rrezik të shtuar.
Zjarri ka dalë nga territori i Lundresë, ka përfshirë edhe territorin e fshatit Madhesh dhe po avancon në drejtim të Shkopetit. Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, duke e bërë situatën gjithnjë e më të vështirë për t’u kontrolluar.
Rreziku është konkret edhe për një banesë ku aktualisht janë të stacionuara forcat që po angazhohen në përballimin e situatës. Për këtë arsye, kërkohet vlerësim i menjëhershëm i sigurisë së personelit dhe i banesës.
Ndërkohë, në majën e malit Trodhen, zjarri ka avancuar në drejtim të staneve. Për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë, është kërkuar largimi i personave nga zona, si masë paraprake për mbrojtjen e jetës. Situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme, të koordinuar dhe me të gjitha kapacitetet në dispozicion.
Në kushtet kur terreni është i vështirë dhe era po ndihmon përhapjen e flakëve, ndërhyrja nga ajri është tashmë e domosdoshme për të frenuar avancimin e zjarrit dhe për të shmangur rrezikimin e banesave, njerëzve dhe staneve. Çdo vonesë në ndërhyrje mund ta bëjë situatën edhe më të vështirë për t’u kontrolluar.
