Detaje të reja mësohen për vrasjen e ndodhur në Shkodër, ku 24-vjeçari Ylber Luli humbi jetën pas një konflikti me A.V, i dyshuar si autor i ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, konflikti mes dy të rinjve ka nisur gjatë orëve të natës në një lokal në zonën e Gjuhadolit. Pas përplasjes, rreth orës 05:00 të mëngjesit, A.V është nisur drejt banesës së Lulit, me pretendimin se do të sqaronte konfliktin mes tyre.
I dyshuari kishte me vete një pistoletë. Në banesë ka nisur një tjetër përleshje fizike mes dy të rinjve, ku është përfshirë edhe babai i viktimës, Q.L, raporton gazetarja e Klan News Emi Kalaja.
Sipas Policisë së Shkodrës, gjatë përleshjes, babë e bir kanë plagosur me thikë A.V. Në vijim të konfliktit, A.V dyshohet se ka nxjerrë armën që kishte me vete dhe ka qëlluar drejt Ylber Lulit, duke e lënë të vdekur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30 në banesën e 24-vjeçarit. Menjëherë pas të shtënave, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Policia ka bërë ndalimin e A.V, ndërsa në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe pistoleta që dyshohet se është përdorur në vrasje.
Nga veprimet e para hetimore është mësuar se Ylber Luli kishte qëndruar deri në orët e vona të natës jashtë banesës, në automjetin e tij, së bashku me një person tjetër. Rreth orës 02:00 pas mesnate, ai është futur në banesë.
Rreth tre orë më vonë, A.V është shfaqur në banesën e tij, ku konflikti i nisur më herët në lokal ka vijuar me përleshje fizike dhe përdorimin e thikës dhe armës së zjarrit.
Grupi hetimor po vijon mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, me qëllim përcaktimin e saktë të dinamikës së konfliktit dhe përgjegjësive të secilit person të përfshirë.
