Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur mbrëmjen e së shtunës fshatin Urakë të Njësisë Administrative Rukaj. Rreth orës 23:10, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë në drejtim të një automjeti tip “Audi”, i cili ishte i parkuar në oborrin e një banese. Automjeti, në pronësi të shtetases S. Ll., bashkëshortja e shtetasit A. Ll., është dëmtuar nga plumbat.
Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar. Por misteri i ngjarjes është thelluar disa minuta më pas. Gjatë kontrolleve të Policisë në zonë, rreth 2 kilometra larg vendit ku u qëllua “Audi”, në aksin rrugor Rrëshen–Burrel, është gjetur një “Golf V” i përfshirë nga flakët. Kontrolli i automjetit të djegur ka zbuluar një tjetër detaj të rëndësishëm për hetimin: brenda tij janë gjetur dy armë zjarri tip kallashnikov, të dëmtuara pjesërisht nga zjarri. Armët janë sekuestruar si prova materiale.
Verifikimet e Policisë kanë zbuluar se “Golf V” ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan më 31 korrik 2025, pasi pronari i tij, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, kishte kallëzuar vjedhjen e automjetit.
Pas ngjarjes, Policia ka ngritur pika kontrolli në zonë dhe ka nisur kontrolle të imtësishme për të gjurmuar lëvizjet e personave që mund të jenë të përfshirë. Në hetim janë përfshirë edhe strukturat e Policisë së Tiranës, Lezhës dhe Kukësit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.


