Për më shumë se një dekadë, emri i Hashim Thaçit u përmend në raportime, hetime dhe akuza që lidhen me periudhën e luftës së Kosovës.
Rruga drejt Hagës nuk nisi në vitin 2020 por shumë më herët. Me dëshmi, hetime ndërkombëtare dhe raportime që ngritën pretendime të rënda për veprimtarinë e disa prej drejtuesve të UÇK-së.
Ajo kulmoi në qershor të vitit 2020, kur Prokuroria Speciale njoftoi se ngritjen e aktakuzës ndaj presidentit të atëhershëm Hashim Thaçi që katër muaj më vonë u arrestua.
Pas përfundimit të luftës, nisën të qarkullonin pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së. Mes tyre ishin akuza për vrasje, rrëmbime, tortura dhe keqtrajtime të të burgosurve.
Por një prej pretendimeve më të bujshme ishte ai për trafikimin e organeve njerëzore që u bënë veçanërisht të njohura pas publikimit të raportit të Këshillit të Evropës të përgatitur nga deputeti zviceran Dick Marty në vitin 2010.
Raporti ngriti akuza për një strukturë të organizuar kriminale të lidhur me drejtues të UÇK-së dhe për pretendime se disa të burgosur ishin vrarë për t’u marrë organet.
Emri i Hashim Thaçit u përfshi në këtë raport.
Raporti i Dick Marty-t shkaktoi reagime të forta në Kosovë dhe ndërkombëtarisht.
Pretendimet e raportit u bënë objekt i hetimeve të mëtejshme ndërkombëtare.
Në vitin 2011, Bashkimi Evropian krijoi një Task-Forcë Speciale për të hetuar pretendimet për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës. Hetimi u drejtua nga amerikani Clint Williamson.
Tre vjet më vonë, në vitin 2014, Williamson tha se hetimi kishte gjetur prova bindëse për krime të kryera nga disa ish-drejtues të UÇK-së.
Këto zhvillime tronditëse i hapën rrugë krijimit të një mekanizmi të posaçëm gjyqësor.
Krijohet Gjykata Speciale
Në vitin 2015, Kosova ndërmori një hap të jashtëzakonshëm. Përmes ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të ligjit përkatës, u krijuan Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar. Selia u vendos në Hagë.
Qëllimi ishte hetimi dhe gjykimi i krimeve të pretenduara që lidhen me periudhën e luftës.
Vendimi ishte politikisht i vështirë, por institucionet e Kosovës e miratuan mekanizmin nën presionin dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Vetë Thaçi, i cili në atë kohë ishte në krye të institucioneve të Kosovës, kishte mbështetur krijimin e Gjykatës, edhe pse më vonë do ta kundërshtonte procesin gjyqësor ndaj tij.
Bomba politike e 24 Qershorit 2020
24 qershori i vitit 2020. Një njoftim nga Haga tronditi skenën politike të Kosovës.
Prokuroria Speciale njoftoi se kishte dorëzuar aktakuzë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Thaçi ishte ende president i Kosovës dhe në aktakuzë pretendohej përgjegjësi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mes akuzave ishin vrasja, zhdukja me forcë, përndjekja dhe tortura. Sipas Prokurorisë, krimet e pretenduara lidheshin me rreth 100 viktima dhe me periudhën e luftës dhe pasluftës.
Njoftimi erdhi në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm pasi Thaçi ishte nisur drejt Shteteve të Bashkuara.
Ai pritej të merrte pjesë në një takim të organizuar në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të përpjekjeve për dialogun Kosovë–Serbi. Pas publikimit të akuzave, udhëtimi u anulua ndërsa takimi në Ëashington vazhdoi pa të.
Aktakuza që nuk ishte ende e konfirmuar
Njoftimi i qershorit 2020 nuk ishte ende një aktakuzë e konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake. Ajo u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe më 5 nëntor u bë publike.
Sipas Dhomave të Specializuara, aktakuza e konfirmuar përfshinte akuza për ndalim dhe arrestim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje si krime lufte, si dhe burgim, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë dhe përndjekje si krime kundër njerëzimit.
Arrestimi më 5 Nëntor 2020
Në 5 nëntor 2020, Hashim thaci njofton atë që e quajti një zgjedhje personale.
‘Për të mbrojtur integritetin e institucionit të Presidentit të Kosovës, për të mbrojtur shtetin e Kosovës dhe për të mos lejuar që procesi gjyqësor të lidhet me institucionin që drejtoj, kam vendosur të jap dorëheqjen nga posti i Presidentit” tha Thaçi
Në të njëjtën ditë kur dha dorëheqjen në 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi arrestohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Në të njëjtën periudhë arrestohen edhe tre ish-drejtues të tjerë të UÇK-së: Kadri Veseli Rexhep Selimi Jakup Krasniqi. Ata transferohen në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Haga
Brenda së njëjtës ditë, Hashim Thaçi kalon nga posti i Presidentit të Kosovës në paraburgimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Katër ditë më vonë, ai paraqitet për herë të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe deklarohet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Dhe kështu nisi zyrtarisht një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore që lidhen me luftën e Kosovës.
Më pas vjen e bujshmja Shtëpia e Verdhë, pjesë e një pretendimi të frikshëm në raportin e zviceranit Dick Marty, që e identifikonte atë si një nga vendet ku, sipas dëshmive të mbledhura, ishin mbajtur të burgosur nga pjesëtarë të UÇK-së pas luftës së Kosovës me qëllim trafikimin e organeve. E gjithë kjo nuk u bë pjesë e aktakuzës kryesore ndaj Thaçit në Dhomat e Specializuara të Kosovës edhe ishte një ndër pikënisjet e gjithë procesit. Pra, një histori akuzash ndaj Thaçit edhe më e gjerë se aktakuza zyrtare.
Ajo që dikur ishte një histori politike dhe ushtarake, tashmë ishte kthyer në një çështje gjyqësore. Fati i një prej figurave më të rëndësishme të Kosovës do të vendosej jo më në Prishtinë, por në sallën e gjyqit në Hagën ë një nga çështjet më të shumë debatuara rajonale dhe jo vetëm.
