Rritja e çmimit të karburanteve ka nxjerrë në protestë peshkatarët në Francë. Mobilizimi i tyre po intensifikohet, me bllokimin e porteve të Sète, Fos-sur-Mer dhe, prej pak orësh, edhe të Nicës.
Mbërritja e një trageti të kompanisë Corsica Ferries me 600 persona në bord është vonuar, ndërsa forcat e rendit po punojnë për rikthimin e kushteve të sigurisë. Rreth 200 peshkatarë kanë bllokuar gjithashtu hyrjet dhe daljet e rafinerisë së Frontignan, ku janë ndezur zjarre që më pas janë shuar nga zjarrfikësit.
“Veprimi ynë është simbolik”, tha përfaqësuesi i peshkatarëve, Ange Natoli, i cili është nisur drejt Parisit për t’u takuar me ministren e Detit dhe Peshkimit, Catherine Chabaud.
Kryeministri Sébastien Lecornu ka kërkuar zgjatjen deri më 31 dhjetor të ndihmës për karburantet. Për peshkatarët, subvencioni do të rritet nga 25 në 35 cent për litër, niveli maksimal i lejuar nga Komisioni Europian për t’u mundësuar anijeve të vazhdojnë aktivitetin.
Megjithatë, mobilizimi i peshkatarëve ka shtuar frikën se pakënaqësia sociale mund të përhapet dhe se çmimi i karburanteve, por edhe rënia e fuqisë blerëse, mund të bëhen shkëndija e një revolte të re të “jelekëve të verdhë”, si ajo e vitit 2018 që solli muaj trazirash në fillim të mandatit të parë të Emmanuel Macron.
Në rrjetet sociale po shtohen thirrjet për protesta më 17 tetor, edhe pse deri tani ato duken pak të koordinuara.
“Nuk besoj se ‘jelekët e verdhë’ do të rikthehen në formën që i njohëm në vitin 2018, por një revoltë e re popullore nuk përjashtohet, ndoshta edhe më e gjerë”, deklaroi në France 2 Jérôme Rodrigues, një nga figurat e lëvizjes.
Sekretari i Partisë Socialiste, Olivier Faure, i cili kandidon në zgjedhjet paraprake të së majtës së moderuar për kandidatin presidencial, tha se do të jetë në krah të “jelekëve të verdhë” nëse ata “ngrihen sërish”.
“Janë qytetarë që punojnë, por nuk arrijnë në fund të muajit. Kur fuqia blerëse rritet shumë pak, ndërsa shpenzimet rriten shpejt, situata bëhet problematike”, u shpreh ai.
Edhe kandidati komunist për zgjedhjet presidenciale, Fabien Roussel, u bëri thirrje francezëve të mobilizohen nëse qeveria nuk vepron në ditët në vijim. Mbështetje për protestën ka paralajmëruar edhe Manuel Bompard, koordinatori kombëtar i France Insoumise, nëse protesta e 17 tetorit konfirmohet.
Rritja e çmimit të karburanteve ishte një nga shkaqet që çoi në protestat e “jelekëve të verdhë” në vitin 2018. Aktualisht, në Francë një litër naftë kushton 2,36 euro, ndërsa benzina SP98 shitet me 2,24 euro për litër dhe SP95 me 2,22 euro. Në Fresnay-L’Évêque, rreth 90 kilometra në jugperëndim të Parisit, çmimi i naftës në një pikë karburanti përgjatë autostradës ka arritur në 2,84 euro për litër, rreth 50 cent më shumë se mesatarja.
Qeveria franceze ka miratuar gjithashtu një ndihmë prej 100 eurosh për tre milionë punonjës me të ardhura të ulëta që përdorin makinën për të shkuar në punë, por kjo mbështetje pritet të përfundojë në fund të muajit.
