Një ditë pas dënimit me 25 vite burg nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi ka dhënë mesazhin e parë publik. Përmes avokatit të tij, Luka Misetiç, ish-presidenti i Kosovës falënderoi qytetarët për mbështetjen e treguar pas shpalljes së aktgjykimit dhe u bëri thirrje të ruajnë qetësinë.
Në një postim në rrjetin social “X”, Misetiç tha se Thaçi shpreh mirënjohjen për mbështetjen që, sipas tij, ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga qytetarët e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar.
“Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, kanë marrë nga populli i Kosovës dhe nga faktori ndërkombëtar, si dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme.”
Avokati konfirmoi gjithashtu se mbrojtja do ta ankimojë vendimin e shpallur nga Dhomat e Specializuara.
“Avokatët e z. Thaçi do ta apelojnë vendimin e djeshëm gjyqësor para Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se ka pasur gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike që kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor.”
