Kryeministri Edi Rama mbajti sot një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, ndalesa e parë e vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara përpara pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Gjatë fjalës së tij ai u ndal te vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së, projektet e qeverisë për diasporën, procesi i integrimit europian dhe protesta për flamingon në Zvërnec.
Rama e cilësoi vendimin e Dhomave të Specializuara për katër ish-drejtuesit e UÇK-së si një ‘varrosje për së gjalli’ ndërsa tha se i takon institucioneve të Kosovës ta refuzojnë politikisht atë.
“Vendimet e gjykatave duhen respektuar, por problemi nuk është si të mos respektosh vendimin e gjykatës, por si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të katër njerëzve. Shqipëria nuk mund të bëjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por të zgjedhurit e popullit të saj duhet ta refuzojnë këtë varrosje për së gjalli”, tha Rama.
Një pjesë të fjalës ia kushtoi edhe diasporës, ku njoftoi se qeveria ka nisur zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2030 dhe se po krijohet Regjistri Kombëtar i Diasporës.
“Po krijojmë Regjistrin Kombëtar të Diasporës, një sportel unik ku çdo shqiptar e gjen shtetin e vet me një klik”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se po punohet edhe për dritare të posaçme për investitorët shqiptarë jashtë vendit.
Rama e krahasoi Shqipërinë me një “kantier në transformim”, ndërsa tha se, pavarësisht vonesave dhe gabimeve që duhen korrigjuar, procesi i ndryshimit vazhdon.
“Ju jeni supervizorët më objektivë të kantierit, sepse nga larg e shihni më mirë ndryshimin dhe rezultatin”, tha ai.
Në fjalën e tij, kryeministri u ndal edhe te protesta e zhvilluar në qershor për flamingon në Zvërnec, të cilën e cilësoi një shenjë të ndryshimit të qasjes së shoqërisë shqiptare.
“Flamingoja u bë figura më popullore e Shqipërisë dhe e ktheu vendin në një adresë botërore të debatit për natyrën, zhvillimin dhe turizmin. Përtej kësaj, protesta tregoi se shqiptarët nuk jetojnë më me idenë se ‘ka edhe më keq’, por me bindjen se ‘ka edhe më mirë’. Një shoqëri që kërkon më shumë është një shoqëri që nuk pranon ta ulë shikimin”, u shpreh Rama.
Në fund, ai foli edhe për arritjet që, sipas tij, ka shënuar vendi në turizëm dhe integrimin europian, duke deklaruar se Shqipëria ka arritur në 12 milionë vizitorë në vit, aeroporti i Tiranës ka regjistruar për të pestin vit radhazi rritjen më të madhe të trafikut në rajon dhe se objektivi i qeverisë mbetet anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian në vitin 2030.
