Bizneset që shesin online pritet të kenë më shumë transparencë në marrëdhënien me platformat digjitale. Një projektligj i ri vendos rregulla për ndryshimin e kushteve, pezullimin e llogarive, renditjen e produkteve dhe trajtimin e ankesave.
“Ndryshimi i parë konkret lidhet me kushtet që platforma i vendos biznesit. Çdo ndryshim duhet të njoftohet paraprakisht dhe afati nuk mund të jetë më i shkurtër se 15 ditë, ndërsa kur kërkohen përshtatje të rëndësishme, afati duhet të jetë më i gjatë. Nëse platforma kufizon ose pezullon shërbimin, duhet të japë arsyet e vendimit, ndërsa për ndërprerjen e plotë parashikohet, si rregull, njoftim të paktën 30 ditë përpara. Biznesi do të ketë gjithashtu mundësi të sqarojë rastin përmes sistemit të ankesave dhe, nëse vendimi anulohet, të rikthehet në gjendjen e mëparshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Një tjetër ndryshim prek mënyrën se si një produkt apo shërbim shfaqet në rezultatet e kërkimit. Platformat duhet të bëjnë të ditur parametrat kryesorë që ndikojnë në renditje dhe efektin që mund të ketë pagesa mbi pozicionimin.
“Nëse platforma favorizon produktet e veta ose ato të kompanive që kontrollon, duhet ta deklarojë këtë trajtim të diferencuar dhe të shpjegojë arsyet kryesore ekonomike, tregtare ose ligjore. Për ankesat, parashikohet një sistem i brendshëm pa pagesë, ndërsa për mosmarrëveshjet e pazgjidhura platformat duhet të identifikojnë të paktën dy ndërmjetës”, thuhet në njoftim.
Krerët që rregullojnë marrëdhënien platformë–biznes parashikohet të zbatohen gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, për t’u dhënë subjekteve kohë për përshtatje.
