Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas skandalit që shpërtheu gjatë orëve të fundit, ku video intime të disa personazheve të njohura të showbizit shqiptar, të lidhura me kompozitorin Adrian Hila, kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe në grupet e komunikimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla e ka cilësuar publikimin dhe shpërndarjen e materialeve intime pa pëlqim si një formë të rëndë dhune dhe cenimi të privatësisë, duke theksuar se viktimat nuk duhet të fajësohen apo stigmatizohen.
Ai ka “duartrokitur” nisjen e hetimeve nga Policia e Shtetit dhe referimin e çështjes në Prokurori, si hapa të nevojshëm për identifikimin e autorëve dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Balla ka nënvizuar gjithashtu se mbrojtja e grave nga dhuna, përfshirë atë në hapësirën digjitale, mbetet një përgjegjësi e institucioneve dhe e shoqërisë.
“Nisja e hetimeve nga Policia e Shtetit dhe referimi i çështjes në Prokurori janë hapa të domosdoshëm për identifikimin e autorëve dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Mbrojtja e grave është mbrojtje e dinjitetit njerëzor. Asnjë grua nuk duhet të jetë e vetme përballë dhunës, në internet apo jashtë tij”, shkruan Balla.
Postimi i plotë:
Dy fjalë mbi disa vepra penale që po konsumohen në këto orë ndaj disa personazheve publike.
Mbrojtja e grave nga çdo formë dhune, përfshirë dhunën dhe abuzimin në hapësirën digjitale, është përgjegjësi e shoqërisë dhe e institucioneve. Publikimi dhe shpërndarja e videove apo materialeve intime pa pëlqimin e një gruaje është cenim i rëndë i privatësisë, dinjitetit dhe të drejtave të saj. Përballë kësaj forme dhune, viktima nuk duhet të fajësohet, gjykohet apo stigmatizohet.
Nisja e hetimeve nga Policia e Shtetit dhe referimi i çështjes në Prokurori janë hapa të domosdoshëm për identifikimin e autorëve dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Mbrojtja e grave është mbrojtje e dinjitetit njerëzor. Asnjë grua nuk duhet të jetë e vetme përballë dhunës, në internet apo jashtë tij.
