SHKODËR – Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Reaction”, gjatë të cilit është arrestuar në flagrancë një 28-vjeçar, i dyshuar për posedim dhe shitje të lëndëve narkotike në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.
Në pranga ka rënë shtetasi E. Z., 28 vjeç, banues në Shkodër. Sipas Policisë, ai u kap në flagrancë duke drejtuar automjetin e tij, ku gjatë kontrollit u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e të arrestuarit, ku u sekuestrua një tjetër sasi lënde bimore e dyshuar narkotike, e ndarë në doza dhe e gatshme për tregtim.
Në total, gjatë operacionit u sekuestruan rreth 1.5 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e së cilës në formë xhelatinoze, si dhe një automjet, një aparat celular, peshore elektronike dhe pajisje për paketim me vakum.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 28-vjeçari e siguronte lëndën narkotike me qëllim shitjen e saj, kryesisht në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas administrimit të një informacioni në rrugë operative lidhur me aktivitetin e dyshuar kriminal në fushën e narkotikëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
