Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin që përcakton mënyrën e krijimit dhe funksionimit të një institucioni të pavarur për monitorimin e politikës fiskale dhe financave publike. Sipas projektligjit, Këshilli Fiskal do të jetë person juridik publik dhe do të funksionojë në mënyrë të pavarur nga ekzekutivi. Misioni i tij do të jetë forcimi i disiplinës fiskale, rritja e transparencës dhe mbështetja e qëndrueshmërisë së financave publike, në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat ndërkombëtare.
Institucioni do të analizojë projektbuxhetin vjetor, parashikimet makroekonomike, kuadrin fiskal afatmesëm dhe zbatimin e buxhetit. Gjithashtu, do të vlerësojë respektimin e rregullave fiskale dhe do të identifikojë rreziqet që mund të çojnë në devijime nga objektivat e përcaktuara. Opinionet e Këshillit për projektbuxhetin dhe kuadrin makroekonomik e fiskal do të përfshihen në dokumentacionin që i paraqitet Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit. Këshilli Fiskal do të përbëhet nga tre anëtarë, të cilët do të kenë mandat gjashtëvjeçar, me mundësi për një riemërim. Ata do të zgjidhen nga Kuvendi përmes një procedure publike përzgjedhjeje dhe do të ushtrojnë funksionin me kohë të plotë. Kandidatët duhet të kenë arsim të avancuar në ekonomi, financa, makroekonomi, statistikë ose fusha të ngjashme, si dhe të paktën 10 vjet përvojë profesionale në fushat përkatëse.
Për mbështetjen e punës së tij, Këshilli do të ketë edhe një sekretariat teknik me pesë anëtarë, të përzgjedhur përmes konkurrimit publik. Projektligji parashikon gjithashtu detyrime për transparencë. Këshilli do të publikojë analizat dhe opinionet e tij, si dhe do t’i paraqesë Kuvendit një raport vjetor mbi veprimtarinë. Institucioni do të financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa fondet do të parashikohen si zë i veçantë në ligjin vjetor të buxhetit. Pas hyrjes në fuqi të ligjit, komisioni parlamentar përgjegjës për ekonominë dhe financat, do të ketë 90 ditë për t’i propozuar Kuvendit tre anëtarët e Këshillit Fiskal. Këshilli do të nisë funksionimin pasi të jenë zgjedhur të gjithë anëtarët, ndërsa ligji pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
