Harta e re territoriale e propozuar nga mazhoranca dhe e diskutuar gjerësisht në konsultime publike, ka këtë javë startin final para miratimit në Kuvend.
Drafti për ndarjen e vendit në 46 bashki ka hyrë në axhendë parlamentare dhe sot pritet të marrë miratimin e fundit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, para votimit në Kuvend në seancën e 8 tetorit.
Mazhoranca argumenton se ndarja e re e bashkive është efektive dhe se shkrirja e disa prej tyre nuk cenon cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Partia Demokratike e ka kundërshtuar projektin e PS, me 46 bashki, me argumentin se është një ndarje me efekt elektoral në dem të opozitës dhe ndikon në shpopullimin e zonave.
Por mazhoranca thotë se nuk qëndorjnë këto pretendime dhe se bashkitë e vogla nuk kanë aftësi për të thithur fonde të BE-së, për shkak të mungesës së stafeve të kualifikuara dhe një bashkim i tyre me bashkitë e mëdha do i forcojë dhe do të përmirësojë shërbimet që ofrohen për qytetarët.
