Spanja do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në 29 nëntor, pasi vendi është përballur me protesta në javët e fundit, kryesisht për shkak të krizës së banesave.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njoftoi datën e zgjedhjeve në një fjalim televiziv dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos i japin terren së djathtës ekstreme.
“Ka ardhur koha që populli spanjoll të vendosë se çfarë të ardhmeje dëshiron për veten dhe për vendin e tij. Spanja vazhdon të jetë një bastion i drejtësisë sociale, një pikë referimi globale për paqen, feminizmin dhe prosperitetin. Duhet të mobilizohemi dhe të sigurojmë që Parlamenti të na japë një shumicë shumë më të gjerë, me të cilën të mund t’i mposhtim elitat dhe të vazhdojmë transformimin e Spanjës”, tha Sanchez.
Njoftimi i Sanchez erdhi më pak se 72 orë pasi qeveria e tij nuk arriti të siguronte mbështetjen parlamentare për dy dekrete-ligje lidhur me strehimin, të cilat synonin të lehtësonin krizën e banesave.
Sánchez ka qenë kryeministër i Spanjës që nga qershori i vitit 2018. Spanja nuk e kishte të planifikuar mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme deri në verën e vitit 2027.
Partia Socialiste doli e dyta në zgjedhjet e fundit, të mbajtura në vitin 2023. Megjithëse Partia Popullore fitoi më shumë vende, ajo nuk arriti të siguronte shumicën.
Sánchez mbeti në pushtet pasi arriti marrëveshje me parti të së majtës dhe siguroi mbështetjen e grupeve nacionaliste dhe pro-pavarësisë nga Katalonja dhe Rajoni Bask.
Shumica e sondazheve sugjerojnë se konservatorët ka gjasa të dalin si partia më e madhe në zgjedhjet e ardhshme.
Megjithatë, pritet që atyre t’u duhet mbështetja e partisë së ekstremit të djathtë, Vox, për të formuar qeverinë.
