Pas takimeve dhe kontakteve me banorë të rretheve të Matit dhe Bulqizës, deputeti i Qarkut Dibër, Agron Malaj, ka përcjellë në Kuvendin e Shqipërisë disa prej problematikave të ngritura nga komunitetet lokale, duke kërkuar vëmendjen dhe ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.
Një prej çështjeve të ngritura lidhet me furnizimin me energji elektrike në qytetin e Klosit. Sipas deputetit Malaj, pavarësisht investimeve të kryera në rrjetin e shpërndarjes, banorët vijojnë të përballen herë pas here me ndërprerje të shkurtra të energjisë. Për këtë arsye, ai kërkoi që problematika të vlerësohet dhe të marrë një zgjidhje sa më të shpejtë.
Në Martanesh, vëmendja u përqendrua te nevoja për ndërhyrje në pallatet dhe objektet e amortizuara në qytetin e Krastës, si edhe te përmirësimi i furnizimit me energji elektrike në disa prej fshatrave më të largët të njësisë administrative.
Një tjetër problematikë e ngritur në Kuvend ishte ajo e banorëve të Xibrit, të cilët, sipas deputetit, e kanë cilësuar ndërtimin e Rrugës së Arbërit si një ndryshim të rëndësishëm për lidhjen e zonës me pjesën tjetër të vendit.
Megjithatë, banorët kanë kërkuar ndërhyrje për një problem konkret që lidhet me lëvizjen e nxënësve, fermerëve dhe blegtorëve nga njëra anë e rrugës në tjetrën.
Malaj kërkoi që institucionet përgjegjëse të marrin në konsideratë shqetësimet e banorëve të Xibrit dhe të identifikojnë një zgjidhje praktike dhe të sigurt për lëvizjen e komunitetit.
“Shqetësimet e banorëve duhen dëgjuar dhe trajtuar me seriozitet. Çështjet e energjisë, infrastrukturës dhe sigurisë së lëvizjes janë problematika konkrete që kërkojnë ndërhyrje dhe zgjidhje nga institucionet përgjegjëse”, është shprehur deputeti Malaj.
