Kontrolli i ndihmës shtetërore pritet të kalojë në një fazë të re institucionale. Projektligji për ndryshimin e ligjit nr. 9374, “Për ndihmën shtetërore”, i hedhur në konsultim publik, parashikon transferimin e të gjithë funksionit të kontrollit nga struktura aktuale pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë te Autoriteti i Konkurrencës.
Sipas relacionit shpjegues, ndryshimi synon të forcojë pavarësinë operacionale të kontrollit, kapacitetet administrative dhe instrumentet e monitorimit, duke krijuar një ndarje më të qartë mes institucioneve që japin ndihmë shtetërore dhe autoritetit që kontrollon ligjshmërinë dhe pajtueshmërinë e saj.
Në praktikë, kjo do të thotë se Komisioni i Konkurrencës do të marrë rolin e organit vendimmarrës për çështjet e ndihmës shtetërore, ndërsa një strukturë e posaçme brenda Autoritetit të Konkurrencës do të kryejë funksionet administrative, teknike, hetimore dhe monitoruese.
Nga dhënia e ndihmës te kontrolli i saj
Një nga elementët më të rëndësishëm të reformës është ndarja institucionale e dy funksioneve: shteti mund të vazhdojë të jetë dhënës i ndihmës, por kontrolli mbi pajtueshmërinë e kësaj ndihme do të ushtrohet nga një autoritet i veçantë.
Relacioni e lidh drejtpërdrejt këtë ndryshim me nevojën për më shumë pavarësi dhe paanshmëri në shqyrtim, hetim dhe monitorim. Projektligji përcakton se Autoriteti i Konkurrencës dhe Komisioni i Konkurrencës nuk duhet të kërkojnë apo të marrin udhëzime nga Këshilli i Ministrave, ministritë, dhënësit e ndihmës apo subjekte të tjera publike dhe private për çështjet që lidhen me kontrollin e ndihmës shtetërore.
Ky është ndryshimi që i jep reformës peshën më të madhe institucionale: kontrolli i ndihmës shtetërore shkëputet nga struktura e ministrisë që është pjesë e ekzekutivit dhe integrohet në një autoritet të pavarur rregullator.
Komisioni mund të urdhërojë kthimin e ndihmës së paligjshme
Kompetencat e reja të Komisionit të Konkurrencës janë të gjera. Projektligji i jep atij të drejtën të vlerësojë njoftimet, të autorizojë skemat dhe ndihmat individuale, të vendosë nëse një ndihmë është e pajtueshme me ligjin, si dhe të urdhërojë pezullimin, ndryshimin ose kthimin e ndihmës së paligjshme ose të papajtueshme.
Komisioni do të ketë gjithashtu kompetencë për nisjen dhe përfundimin e procedurave të hetimit, miratimin e udhëzimeve, dhënien e rekomandimeve për dhënësit e ndihmës dhe vendosjen e sanksioneve administrative.
Një tjetër risi është forcimi i detyrimit për informacion. Nëse ndërmarrjet ose grupimet e ndërmarrjeve shkelin detyrimet për dhënien e informacionit, Komisioni i Konkurrencës mund të vendosë gjoba, sipas rregullave të legjislacionit për mbrojtjen e konkurrencës.
Regjistër i ndihmës shtetërore dhe më shumë transparencë
Struktura e re pranë Autoritetit të Konkurrencës nuk do të ketë vetëm rol procedural. Ajo do të ketë përgjegjësi për mbledhjen, përpunimin dhe monitorimin e të dhënave, shqyrtimin e njoftimeve, përgatitjen e projektvendimeve, hetimet dhe monitorimin e zbatimit të vendimeve.
Një nga detyrat konkrete do të jetë edhe krijimi, administrimi dhe përditësimi i regjistrit të ndihmës shtetërore, si dhe përgatitja e raportit vjetor. Vendimet dhe informacioni përkatës parashikohet të publikohen sipas kërkesave të ligjit.
Autoriteti i Konkurrencës do të duhet gjithashtu t’i raportojë Kuvendit çdo vit, deri më 30 qershor, mbi zbatimin e rregullave të ndihmës shtetërore gjatë vitit paraardhës, përfshirë të dhënat për skemat dhe ndihmat individuale.
Bujqësia dhe peshkimi hyjnë në fushën e ligjit
Një tjetër ndryshim me ndikim është zgjerimi i fushës së zbatimit. Projektligji përfshin në mënyrë të shprehur bujqësinë dhe peshkimin, krahas sektorëve të prodhimit dhe shërbimeve. Për këta sektorë do të merren në konsideratë edhe rregullat e posaçme të acquis të BE-së.
Gjashtë muaj për transferimin
Reforma nuk hyn në fuqi menjëherë në aspektin institucional. Projektligji parashikon një periudhë kalimtare gjashtëmujore.
Gjatë kësaj periudhe, Komisioni i Ndihmës Shtetërore dhe struktura përgjegjëse pranë ministrisë së ekonomisë do të vijojnë të ushtrojnë funksionet e tyre sipas kuadrit ekzistues. Paralelisht, Autoriteti i Konkurrencës dhe ministria duhet të përgatisin strukturën e re, të transferojnë dokumentacionin, dosjet, arkivin dhe bazat e të dhënave dhe të marrin masat administrative e buxhetore për transferimin.
Me përfundimin e gjashtë muajve, kompetencat kalojnë te Autoriteti i Konkurrencës dhe Komisioni i Konkurrencës, ndërsa Komisioni i Ndihmës Shtetërore pushon së funksionuari. Procedurat administrative të nisura dhe të papërfunduara do të vijojnë nga Autoriteti i Konkurrencës në fazën ku ndodhen.
Reforma kërkon edhe burime të reja
Një pikë që meriton vëmendje është se reforma nuk parashikon krijimin e një institucioni të ri, por kjo nuk do të thotë se transferimi është pa kosto.
Relacioni sqaron se Autoritetit të Konkurrencës do t’i duhet të sigurojë burime njerëzore, financiare dhe teknike për ushtrimin efektiv dhe të pavarur të funksionit të ri. Nevojat konkrete do të përcaktohen gjatë përshtatjes së strukturës së Autoritetit, duke marrë në konsideratë edhe zgjerimin e kontrollit në bujqësi dhe peshkim.
Pra, kursimi nga moskrijimi i një autoriteti të ri nuk përjashton nevojën për investime në kapacitete, staf të specializuar, sisteme informacioni dhe mekanizma monitorimi. /ekofin.al
