Qytetarët që kanë ndërtime pa leje të konstatuara nga institucionet vendore apo organe të tjera administrative do të kenë një afat prej 60 ditësh për t’i vetëdeklaruar ato, me qëllim që të përfitojnë nga mundësia e parablerjes. Në të kundërt, pasuritë do të kalojnë në procedurat e konfiskimit dhe administrimit nga shteti.
Detajet u bënë të ditura gjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar për Mjetet e Informimit Publik, ku Kryeadministratorja e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, prezantoi disa nga risitë që pritet të sjellë kuadri i ri ligjor.
Sipas shpjegimeve të dhëna në komision, afati prej 60 ditësh do të nisë pas miratimit të ligjit të ri dhe synon t’u japë mundësi personave që kanë realizuar ndërtime pa leje të deklarojnë pasurinë dhe të hyjnë në procedurat përkatëse të parablerjes.
Nëse ndërtimi është konstatuar tashmë nga bashkia apo një institucion tjetër administrativ dhe nuk vetëdeklarohet brenda afatit të përcaktuar, ai do t’i nënshtrohet konfiskimit.
Xhaja sqaroi se në zbatimin e mekanizmit të ri do të trajtohet fillimisht çështja e parablerjeve dhe vetëm më pas do të procedohet me administrimin e pasurive sipas rregullave të reja.
Ndryshimet ligjore zgjerojnë njëkohësisht fushën e veprimit të AAPSK-së edhe mbi pasuritë e konfiskuara nga pushteti vendor. Një pjesë e rëndësishme e tyre pritet të jenë pikërisht ndërtimet pa leje.
Kjo do të thotë se pas konfiskimit këto pasuri nuk do të mbeten thjesht nën përgjegjësinë e institucioneve vendore, por do të mund të kalojnë në administrim sipas mekanizmave të AAPSK-së, duke krijuar mundësi për përdorimin, dhënien në administrim apo shitjen e tyre sipas përcaktimeve ligjore.
Një tjetër risi është krijimi i një fondi të posaçëm për administrimin e ndërtimeve pa leje. Sipas Xhajës, fondi do të ushqehet nga të ardhurat që gjenerohen prej administrimit të këtyre pasurive.
Në këtë mënyrë synohet që të ardhurat e krijuara nga pasuritë e konfiskuara të përdoren për të mbështetur vetë procesin e administrimit, ndërsa ligji krijon hapësirë që një pjesë e pasurive të përdoren edhe në funksion të komunitetit.
Diskutimet në komision u përqendruan gjithashtu te mekanizmi i ankandit. Pasuritë që nuk përdoren nga AAPSK apo nuk destinohen për funksione të tjera publike do të mund të nxirren për shitje, duke u dhënë mundësi individëve dhe subjekteve private t’i blejnë përmes procedurave të përcaktuara.
Drejtuesja e AAPSK-së dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme argumentuan se qëllimi i ndryshimeve është që pasuritë e konfiskuara të mos mbeten për periudha të gjata pa përdorim dhe të humbasin vlerën e tyre.
Modeli i ri synon kështu të krijojë një cikël më të plotë administrimi: fillimisht mundësia e parablerjes për subjektin që vetëdeklaron ndërtimin brenda afatit, më pas konfiskimi dhe administrimi kur nuk plotësohen kushtet, ndërsa për pasuritë që nuk përdoren nga shteti parashikohet edhe mundësia e shitjes përmes ankandit.
Zgjerimi i kompetencave të AAPSK-së te ndërtimet pa leje pritet të shtojë ndjeshëm edhe portofolin e pasurive që do të duhet të administrohen nga Agjencia. Pikërisht për këtë arsye, krijimi i fondit të posaçëm synon të sigurojë burime financiare për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e tyre, deri në përcaktimin e destinacionit përfundimtar.
