Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot më 8 tetor kërkesën e Partisë Demokratike, në lidhje me emërimin e ministres virtuale “Diella”.
Kërkesa e PD-së është rrëzuar me shumicë votash, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.
Partia Demokratike ka dërguar në Kushtetuese çështjen e emërimit të ministres virtuale “Diella” më 23 shtator të vitit që lamë pas.
PD e cilësoi antikushtetues dekretin e kreut të shtetit për ngritjen dhe funksionimin e Ministres virtuale të inteligjencës artificiale.
Gjithashtu, opozita ka hedhur edhe akuza ndaj ministres virtuale, duke u shprehur se ajo iu ka kushtuar shqiptarëve miliona euro taksa. PD krijoi një avatar rival të “Diellës”, duke u shprehur se ndërsa ministrja ka kushtuar 4 milionë euro, avatari demokrat kushtonte vetëm 100 dollarë.
Avatari Skënderbeu i opozitës u prezantua në Kuvendin Kombëtar të PD-së, ku vetë “heroi ynë kombëtar” deklaroi se ka kushtuar shumë pak.
“Unë jam Skënderbeu. Jo Skënderbeu i Elisës, para se Elisa të inatosej me Skënderbeun e saj, As Skënderbeu i kullës së Edit në mes të Tiranës. Jam Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, europeisti i parë i këtyre trojeve. Në fakt, jam një avatar i krijuar nga Departamenti AI i Partisë Demokratike.
Ndryshe nga avatari i Ramës, Diella, që ka kushtuar milion euro, unë kam kushtuar vetëm 100 euro. Edi Rama po i kushton shumë Shqipërisë: që nga pushtimi otoman askush nuk i ka kushtuar më shumë këtij vendi të bekuar. Në fund, më lejoni që t’i uroj punë të mbarë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Le të jetë kjo besëlidhje, jo vetëm e Ripërtëritjes, por edhe e Anti-Vjedhjes!”, ishte mesazhi i avatarit të opozitës.
