Vetëm dy ditë nga hapja e aplikimeve për biletat e ndeshjes së nëntorit mes Finlandës dhe Shqipërisë, interesimi i tifozëve shqiptarë ka qenë i lartë.
Burime pranë FSHF bëjnë me dije se ka pasur afro 10 mijë aplikime nga kuqezinjtë që duan ta shohin në stadiumin Arena Kombëtare duelin e parafundit të Ligës së Kombeve.
Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për fatet e grupit C1 dhe konsiderohet një finale për vendin e parë, prandaj mbështetësit e Kombëtares janë gati për të mbushur stadiumin për të mbështetur ekipin.
Në fakt trendi në rritje i tifozëve u konfirmua që në dy sfidat e para të luajtura në Tiranë kundër Bjellorusisë dhe San Marinos, ku ishin të pranishëm afro 35 mijë tifozë në total.
Nuk përjashtohet mundësia që me këto ritme shitjeje, për duelin e radhës stadiumi “Air Albania” të shkojë drejt “sold out”-it.
Pas 4 ndeshjes të luajtura, kuqezinjtë renditen në vendin e parë me 9 pikë, ndërsa Finlanda dhe Bjellorusia kanë 7 pikë.
Për këtë arsye dy sfidat e fundit janë vendimtare. Ato do të luhen në datat 12 dhe 15 nëntor dhe do të transmetohen në TV Klan.
