Dy të veçanta ka patur Edi Rama gjatë vizitave të tij në qytetin e Burrelit. Ishte viti 2003 kohë kur ai kërkonte kreun e Partisë Socialiste dhe ish Komitetet Drejtuese të PS-së në rrethe nuk e lejonin të mbante fjalime para strukturave të partisë. Pikërisht në vjeshtën e atij viti, një grup socialistësh moderatorë vendosën që kryebashkiaku i Tiranës jo vetëm të ishte i pranishëm në mbledhjen e Komitetit Drejtues, por dhe të mbante një fjalim para të pranishmëve. Kur Edi Rama botoi librin e tij “Kurban” socialistëve të Matit u mbeti hatri sepse kjo ndodhi e bukur nuk kishte zënë vend në kujtimet e kreut të PS-së.
E veçanta e dytë ishte sot. Edi Rama foli para matjanëve pas një vendimi të papritur të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për ç’dekretimin e datës së zgjedhjeve. Gjithë ankth të majtët e bashkive Mat e Klos prisnin fjalën e tij në lidhje me mbajtjen ose jo të datës së zgjedhjeve me 30 qershor. Kryetari i PS-së, njëkohësisht Kryeministër i vendit u shpreh qartë dhe prerë se zgjedhjet do të mbahen në datën e caktuar dhe se presidenti e ka humbur të drejtën të jetë në atë zyrë. /tirananews.al/
