Qytetarët dhe bizneset do të përfitojnë më shumë mbrojtje për paratë që mbajnë në banka.
Projektligji i ri për sigurimin e depozitave parashikon rritjen graduale të kufirit të mbulimit nga 2 milionë e 500 mijë lekë, që është aktualisht, në 6 milionë lekë.
Kjo do të thotë se, në rast se një bankë falimenton dhe plotësohen kushtet ligjore, depozituesit do të mund të kompensohen deri në kufirin e ri të parashikuar.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me zgjerimin e kategorive që përfitojnë nga kjo skemë. Projektligji parashikon përfshirjen e organizatave jofitimprurëse, fondacioneve, partive politike, njësive të pushtetit vendor, si dhe kategorive të tjera që aktualisht janë të përjashtuara.
Në skemë synohet të përfshihen edhe depozitat e drejtorëve dhe administratorëve të bankave, familjarëve të tyre dhe aksionarëve që zotërojnë të paktën 5 për qind të kapitalit të bankës, sipas kushteve që do të përcaktohen në ligj.
Projektligji parashikon gjithashtu përmirësimin e procedurave dhe afateve të kompensimit, si dhe rregulla të reja për llogaritjen e kontributeve që bankat paguajnë në skemën e sigurimit.
Ndryshimet synojnë të rrisin besimin e qytetarëve te sistemi bankar dhe të përafrojnë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, rritja parashikohet të zbatohet nga 1 korriku 2027.
Po ashtu në bazë të draftit të ri Bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit do të kenë detyrime më të qarta për informimin e klientëve para lidhjes së kontratës së depozitës, me kufijtë e mbulimit, përjashtimet, afatet e kompensimit dhe të dhënat e skemës.
