Vjeshta po rezulton periudha ideale për udhëtime relaksuese, larg dyndjeve verore dhe me temperatura të buta.
Në një artikull të fundit të platformës së njohur “Skyscanner.it”, ka përzgjedhur 20 destinacionet më të mira në Europë, Mesdhe dhe më gjerë për të shijuar ngrohtësinë gjatë kësaj stine, ku mes tyre spikat edhe Riviera Shqiptare me Dhërmiun.
Sipas udhëzuesit turistik, pas mbylljes së sezonit të lartë, Dhërmiu ofron një atmosferë më të qetë dhe mikpritëse, ideale për të shijuar ujërat e kristalta të Jonit në ditët me diell, për të eksploruar fshatin e vjetër me shtëpitë karakteristike.
Për ata që dëshirojnë të eksplorojnë natyrën, Kanioni i Gjipesë përbën një tjetër atraksion, pasi të çon drejt një prej plazheve më piktoreske të bregdetit, ku mund të mbërrihet në këmbë përmes shtigjeve ose nga deti.
Përveç natyrës dhe plazheve, vizitorët mund të shijojnë edhe traditën e pasur gastronomike, duke përfshirë gatimet vendase si tava e kosit dhe peshkun e freskët.
Krah destinacioneve prestigjioze ndërkombëtare si Lisbona, Dubrovniku, Malaga, Dubai apo Marrakesh, përfshirja e Dhërmiut konfirmon rritjen e Shqipërisë si një nga stacionet më të kërkuara mesdhetare për turizmin e vjeshtës.
