Një 50-vjeçar është gjetur pa jetë në lumin Lana. Siç raporton gazetarja Dorjana Bezat në “Shqipëria Live”, viktima është identifikuar nga policia si I.L, 50 vjeç.
Rreth orës 12:40, në sallën operative ka mbërritur fillimisht një informacion për një person të dehur dhe më pas një tjetër telefonatë për një person që kishte përfunduar në lumin Lana.
Policia ka shkuar në vendngjarje, ku ka gjetur trupin e pajetë dhe të zhveshur të 50-vjeçarit. Rreth 100 metra larg trupit, policia ka gjetur rrobat e tij, mjetin e identifikimit, një celular dhe dy bidonë të mbushur me alkool. Trupi është përcjellë në morg dhe do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.
“Rreth orës 12:56, në bulevardin “Gjergj Fishta”, në lumin Lanë, është konstatuar pa shenja jete një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 60 vjeç. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se ky shtetas, në gjendje të dehur, është zhveshur dhe është hedhur në Lanë, ku ka humbur jetën”, njofton policia.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e shtetasit që ka humbur jetën dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
