Bizneset që kanë pësuar dëme gjatë protestave të ditëve të fundit do të kenë mundësinë të raportojnë humbjet e shkaktuara dhe të përfitojnë rimbursim, pas verifikimit dhe vlerësimit të rasteve nga institucionet përgjegjëse.
Përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”, në portalin e-Albania, subjektet tregtare mund të deklarojnë dëmet e shkaktuara në ambientet e tyre, duke plotësuar formularin përkatës dhe duke dorëzuar dokumentacionin që vërteton dëmin.
Për të nisur procedurën, bizneset duhet të identifikohen fillimisht në portalin e-Albania si subjekte tregtare dhe më pas të përzgjedhin shërbimin “Dëmi im”.
Në formularin elektronik kërkohet plotësimi i të dhënave të nevojshme, përfshirë sipërfaqen e njësisë tregtare dhe informacionin mbi sigurimin e biznesit. Në rastet kur subjekti është i siguruar, duhet të deklarohet edhe kompania përkatëse e sigurimit.
Një nga hapat kryesorë të aplikimit është dokumentimi i dëmeve. Për këtë arsye, subjektet duhet të ngarkojnë fotografi të dëmeve të shkaktuara, si dhe dokumente të tjera mbështetëse që ndihmojnë në verifikimin e situatës së raportuar.
Pas plotësimit të formularit dhe ngarkimit të dokumentacionit, aplikimi dërgohet përmes butonit “Dërgo”. Në përfundim të procesit, sistemi gjeneron një kod unik raportimi, të cilin bizneset duhet ta ruajnë për çdo komunikim të mëtejshëm me administratën tatimore lidhur me dëmet e deklaruara.
Sipas të dhënave të bëra publike nga qeveria, mbi 50 biznese kanë pësuar dëme gjatë protestave. Ndërkohë, 10 ekipe të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë angazhuar në terren për të verifikuar dëmet e raportuara.
Megjithatë, deklarimi i dëmit përmes portalit nuk nënkupton miratimin automatik të rimbursimit. Çdo rast do të shqyrtohet dhe vlerësohet veçmas nga institucionet përgjegjëse.
Në rastet kur bizneset kanë sigurim, një pjesë e kompensimit mund të mbulohet nga kompania e sigurimit, ndërsa pjesa tjetër mund të përballohet nga qeveria, në varësi të vlerësimit të dëmit dhe rrethanave konkrete.
Në përfundim të procesit të verifikimit, qeveria pritet të përcaktojë një buxhet të posaçëm për këtë qëllim, ndërsa masa e rimbursimit do të vendoset rast pas rasti.
