Eksperti i sigurisë Ervin Karamuço ka deklaruar në emisionin “Now” në Euronews Albania, se Policia e Shtetit ka kapur pajisje GPS që, sipas tij, u vendoseshin automjeteve të policisë për të gjurmuar lëvizjet e tyre në Tiranë.
“E dini që sot janë kapur GPS nga ana e Policisë së Shtetit që ju vendoseshin makinat e policisë për të parë se ku qarkullonin në Tiranë? GPS-ja vendosnin protestuesit GPS makinave të policisë. Po pra, po janë kapur sot në magazina…”, deklaroi Karamuço gjatë diskutimit.
Eksperti i sigurisë pretendoi se protestat nuk janë spontane, por organizohen përmes grupeve të komunikimit në aplikacione, ku administratorët, sipas tij, japin direktiva për personat e përfshirë në përplasjet me policinë.
“Pyetja është se kush po i drejton këto grupe që po përplasen dhe po ushtrojnë dhunë”, u shpreh Karamuço, duke ngritur shqetësimin edhe për përfshirjen e të miturve në protestë dhe përgjegjësinë e personave që mund t’i nxisin ata drejt veprave penale.
