Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar protestat e dhunshme të ditëve të fundit si të orkestruara nga elementë të brendshëm dhe të jashtëm, të cilët, sipas tij, kanë si synim destabilizimin e Shqipërisë.
Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar në vend, Rama deklaroi se episodet e dhunës kanë krijuar trysni të madhe te qytetarët dhe kanë paralizuar Tiranën, duke nxitur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Kreu i qeverisë përmendi lëvizjen Antifa, kriminalitetin, krimin e organizuar dhe faktorë politikë si elementë që, sipas tij, lidhen me zhvillimet e fundit. Ai pretendoi gjithashtu se pas akteve të dhunshme qëndrojnë forca të huaja që kanë interes për të destabilizuar vendin.
“Është shumë e rëndësishme që ta bënim këtë takim me ju, pas një histerie dhune, që krijoi një trysni shumë të madhe me njerëzit, dhe mbi të gjitha që mori peng Tiranën, duke krijuar idenë e një përshkallëzimi, që mund të merrte përpara me flakë dhe me gurë gjithë Shqipërinë”, u shpreh Rama.
Më tej, kryeministri e lidhi situatën në Shqipëri me zhvillimet në qytete të tjera europiane, duke përmendur lëvizjen Antifa si një prej komponentëve që, sipas tij, ndikojnë në organizimin e akteve të dhunshme.
“Kjo është një dhunë e orkestruar e lidhur me elementë të brendshëm dhe të jashtëm. Është një dhunë e lidhur me atë se çfarë ndodh në qytete të tjera të Europës. Një lëvizje që quhet Antifa. Ky është vetëm njëri nga komponentët e dhunës”, deklaroi ai.
Rama kritikoi gjithashtu thirrjet e protestuesve kundër përfaqësuesve të qeverisë, duke i krahasuar ato me qëndrime që, sipas tij, kujtojnë periudhën e Mesjetës. Ai shtoi se në zhvillimet e fundit ndërthuren edhe elementë të kriminalitetit dhe krimit të organizuar.
“Vajzat e djemtë që ulërasin e bëjnë thirrje si në kohën e Mesjetës, për të syrgjynosur këto që sipas tyre përfaqësojnë të keqen. Nga ana tjetër është edhe kriminaliteti, që mblidhet me krimin e organizuar dhe komponentë të tjerë politikë. Prodhohet dita-ditës nga forca të huaja që kanë interes për të destabilizuar Shqipërinë”, tha kryeministri.
Deklaratat u bënë gjatë takimit me drejtuesit e sistemit bankar, ku Rama foli për situatën e krijuar nga protestat dhe shqetësimet që, sipas tij, kanë lindur nga përshkallëzimi i dhunës në kryeqytet.
