Ka nisur në Tiranë Mbledhja e Bordit Drejtues të PISA, me pëfaqësues të 91 vendeve. Për herë të parë vendi ynë bëhet mikpritës i një ngjarjeje me rëndësi mbi prioritetet dhe zhvillimin e vlerësimit ndërkombëtar të nxënësve gjatë tre ditëve me takime, panele dhe tryeza diskutimi mes përfaqësuesve të vendeve. PISA është një studim ndërkombëtar, i organizuar nga OECD, që mat aftësitë e 15-vjeçarëve në gjithë botën në lexim, shkencë dhe matematikë.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro përshëndeti ceremoninë e hapjes në të cilën mori pjesë edhe Drejtori për Edukimin dhe Aftësitë i OECD, Andreas Schleicher.
“Janë pikërisht të rinjtë ata që na mbledhin sot, për të diskutuar mbi të ardhmen e arsimit dhe sfidat e reja që sjell një botë ku gjithçka ndryshon me një ritëm të jashtëzakonshëm. Teknologjia dhe veçanërisht inteligjenca artificiale po e ndryshojnë mënyrën se si jetojmë, mësojmë, punojmë dhe ndërveprojmë me njëri-tjetrin. Qasjet e reja që përpiqemi të ndërtojmë përmes analizave që bën edhe programi i PISA, na duhet të përballojnë jo thjesht të sotmen që ecën më shpejt se sa frymëmarrja jonë, por të na ndihmojnë të përgatisim fëmijët jo vetëm për botën që njohim ne, por për atë që ne nuk e njohim dhe fëmijët na e paraprijnë me aftësitë e tyre.
Por, sa më shumë ndryshon bota rreth nesh, aq më të rëndësishme bëhen disa aftësi themelore: të lexuarit, të menduarit matematikor, arsyetimi shkencor, kurioziteti dhe aftësia për të mos u dorëzuar përballë një problemi. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e PISA-s sepse na ndihmon të kuptojmë jo vetëm çfarë dinë nxënësit, por edhe si e përdorin dijen në situata reale, si arsyetojnë, si kërkojnë zgjidhje dhe sa të përgatitur janë për të përballuar sfidat që i presin jashtë mureve të shkollës që bëhen gjithnjë e më të holla e më transparente”, u shpreh ministrja.
