Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka mundësuar përmes portalit e-Albania aplikimin online për pajisjen me faturat e parcelës ndërtimore, një shërbim që u vjen në ndihmë qytetarëve që kanë legalizuar banesën dhe duhet të përfundojnë procedurat për tokën ku ajo është ndërtuar.
Aplikimi kryhet pa pagesë, ndërsa faturat i dërgohen qytetarit në mënyrë elektronike, të pajisura me vulë digjitale, në seksionin “Dokumentet e mia” në e-Albania. Në këtë mënyrë, procedura mund të ndiqet online, pa pasur nevojë për paraqitje fizike pranë institucioneve.
Faturat nevojiten për të vijuar me procedurën e blerjes së truallit, në rastet kur parcela është pronë shtetërore dhe plotësohen kushtet ligjore. Pas kryerjes së pagesës, qytetarët mund të aplikojnë për pajisjen me certifikatën e pronësisë së tokës. Procedura ndryshon në varësi të statusit juridik të parcelës.
Sipas VKM-së nr. 446, datë 26.07.2023, për kategori të caktuara qytetarësh parashikohen lehtësi në pagesën e parcelës ndërtimore.
Përjashtim 100% nga pagesa përfitojnë personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe personat e verbër që plotësojnë kriteret ligjore, si dhe kategori të caktuara institucionesh dhe bashkësish fetare.
Ndërkohë, ulje prej 50% parashikohet për familjet me anëtarë me aftësi të kufizuara sipas kategorive të përcaktuara, familjet njëprindërore me fëmijë në ngarkim, dëshmorët dhe familjarët e tyre, si dhe poseduesit që kanë mbushur moshën e pensionit.
Për poseduesit e ndërtimeve që përfitojnë ndihmë ekonomike parashikohet ulje prej 30% të pagesës.
Përveç këtyre lehtësive, qytetarët mund të përfitojnë edhe 20% ulje nëse pagesa për blerjen e parcelës shtetërore kryhet brenda 30 ditëve nga njoftimi. Gjithashtu, sipas kushteve përkatëse, mund të përdoren bono privatizimi për të mbuluar 50% të vlerës.
Përfitimi nga këto lehtësi kushtëzohet nga plotësimi i kritereve ligjore dhe paraqitja e dokumentacionit përkatës.
Përmes kalimit të shërbimit online, Agjencia Shtetërore e Kadastrës synon të lehtësojë aksesin e qytetarëve në procedurat kadastrale, duke u mundësuar aplikimin pa pagesë, marrjen elektronike të faturave dhe ndjekjen e kërkesës pa paraqitje fizike.
