Nga Mero Baze
Të gjithë e dimë kush humbi në Serbi, por nuk e dimë ende kush ka fituar.
Ama dimë se si kanë fituar.
Serbia ka përjetuar për 14 vjet një pushtet që ka përfaqësuar identitetin e saj si vend mes Rusisë dhe BE-së, duke manovruar me një këmbë në Bruksel dhe një në Moskë. Askush më mirë se Aleksandër Vuçiç nuk mund ta mbante Serbinë edhe me shpresën për t’u bërë pjesë e BE-së, edhe me bindjen se kishte pas vetes Rusinë dhe Kinën.
Përgjatë një beteje të pashembullt paqësore dyvjeçare, mijëra studentë e detyruan opozitën e vjetër në Serbi dhe fraksionet e saj toksike të shkriheshin nën siglën e tyre për të mundur Aleksandër Vuçiçin.
E bënë këtë me një durim të jashtëzakonshëm dhe me profilin e një udhëheqësi modest, një mjek province i panjohur, për të mos u kapur nga politika e vjetër.
Brenda fitimtarëve në Serbi janë mbeturinat më të egra të nacionalizmit serb, konspiracionistët që lulëzojnë në çdo cep të globit, studentët ëndërrimtarë, qytetarët e angazhuar dhe gërmadhat e partive politike të falimentuara, bashkë me udhëheqësit e tyre.
Merita kryesore e lëvizjes studentore serbe është se i detyroi të gjithë të shkriheshin nën siglën e saj.
Dhe ky është një model suksesi se si një opozitë mund ta mposhtë me votë një udhëheqës populist pas 14 vjetësh në pushtet.
Aleksandër Vuçiç, në njëfarë mënyre, e prodhoi vetë opozitën e tij dhe i “edukoi” kundërshtarët që ta kërkonin pushtetin me votë dhe jo me dhunë.
Për dy vjet rresht ata duruan çdo manovër të pushtetit kundër tyre, pa djegur asgjë, pa shkatërruar asgjë, pa linçuar dhe pa dhunuar askënd.
Ata dhanë mesazhin më të mirë për demokracitë në Ballkan: askush nuk i reziston dot votës. Dhunës, po. Dhunës mund t’i rezistojë çdokush që është në pushtet dhe ta kthejë vendin në shesh beteje për të mbrojtur pikërisht parimin e marrjes së pushtetit me votë.
Përse Kosovës i intereson një fitimtar i keq
Siç e thashë, e dimë kush humbi në Serbi, por nuk e dimë kush fitoi. Në gjendjen ku është Kosova sot, me një kryeministër të mbyllur dhe të izoluar nga Perëndimi, sidomos nga SHBA-ja, e vetmja shpresë në horizont është që fitimtarët në Serbi të jenë më të këqij se Vuçiçi.
Aleksandër Vuçiç është udhëheqësi që e përfshiu Serbinë në Procesin e Berlinit dhe e bëri atë një faktor të rëndësishëm të politikës evropiane në Ballkan. Ai nuk ishte realisht një proevropian, por një aktor i jashtëzakonshëm për ta bërë Serbinë të dukej proevropiane. Ai mbetet udhëheqësi më i rrezikshëm serb për shqiptarët, pasi dinte të sillej me evropianët si një prorus i penduar dhe me rusët si një evropian i marrë peng nga Brukseli.
Kur them më të këqij, kam parasysh të jenë pasardhës të frymës fashiste të Millosheviçit dhe ithtarë të Rusisë, që ta bëjnë Albin Kurtin të duket udhëheqës i mirë. Brenda tyre ka gjithfarë mbeturinash fashistoide që mund t’ia dalin ta dominojnë politikën kundër Kosovës si Millosheviçi, por pa fuqinë e tij.
Kjo do t’i bënte mirë Kosovës në këto momente, pasi do ta viktimizonte atë dhe do të mbyllte njërin sy para marrëzive antiperëndimore të Albin Kurtit.
Nëse ndodh që udhëheqësi i ri i Serbisë të jetë një properëndimor, siç dinë të bëhen serbët kur kanë nevojë, dhe të paraqitet si njeriu që do ta çojë Serbinë në Evropë, atëherë Serbia do të bëhet një problem i madh për Kosovën.
Me Kosovën siç është sot, ne e fitojmë betejën me Serbinë vetëm nëse ajo është proruse dhe fashistoide. Përballë një Serbie properëndimore, Kosova e sotme mbetet në klasë. Albin Kurti mund t’u tregojë përralla pleqve të Kosovës nëpër oda, por nuk mund ta bindë Evropën nëse Serbia nxjerr në krye një reformator proevropian. I shojne dem dhe urat mbi Iber.
Përse opozitës shqiptare i vlen modeli serb
Opozitarët shqiptarë kanë një model të fortë të mësojnë si merret pushteti me vota, si shkrihet opozita e vjetër nën një sigël të re studentore dhe si ngjallet besimi te qytetarët kur largohesh nga dhuna, djegia dhe shkatërrimi.
Që të fitosh me votë, duhet të krijosh frymë fitoreje. Frymës së fitores nuk i del dot përballë askush: as Kodi Zgjedhor, as listat, as emrat dhe as paratë. Asgjë.
Hungaria dhe Serbia tregojnë qartë se edhe në kulmin e suksesit ekonomik ku ndodhej Hungaria, edhe në kulmin e mbështetjes ndërkombëtare që kishte nga Trumpi, një klasë politike rrëzohet me votë kur krijohet një frymë kundër saj. E njëjta gjë ndodhi me Vuçiçin.
Për ta kuptuar këtë, opozitarët shqiptarë kanë nevojë për një shembull të thjeshtë.
Një lëvizje e re studentore për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti me Sali Berishën në krye është sikur të ishte gjallë Millosheviçi dhe studentët serbë ta kishin vendosur në krye të listës së tyre.
Një lëvizje e re studentore që kërkon ta mundë Edi Ramën duke thyer banka, dyqane dhe institucione shtetërore është sikur të ishte gjallë Arkani dhe t’i kërcënonte serbë, ose me mua, ose ju vrava. Dhe pastaj Ceca, gruaja e tij këngëtare, të bënte si blogere e revolucionit
Një lëvizje e re studentore që kërkon ta mundë Edi Ramën me grupe të margjinalizuara të shoqërisë në krye, siç janë konspiracionistët, antisemitët apo antisoroistët, është sikur Vuçiçi të kishte frikë se do ta rrëzonte ajo gruaja lezbike që e bëri presidente.
Prandaj gëzojuni fitores në Serbi dhe mësoni prej saj se si fitohet.
Edi Rama i ngjan Aleksandër Vuçiçit jo vetëm se janë të dy të gjatë dhe basketbollistë, por se kanë qëndruar gjatë në pushtet me votë pasi kanë pasur përballë një opozitë të ngjashme.
Opozita serbe ia doli t’i dorëzohej në duar studentëve dhe fitoi. Nuk e dimë nëse do të ndërtojnë një Serbi më të mirë apo më të keqe, por ky nuk është problemi ynë. Ne, si qejflinj fitimtarësh, duhet të shikojmë se si fitohet.
Kjo që po ndodh në Tiranë është një manual shembullor se si humbet.
Nuk mjafton të thuash: “E duam Edi Ramën si Vuçiçin.” Duhet që dikush të thotë: “E duam lëvizjen studentore si në Serbi.”
Nëse e doni fituese.
Kështu, nën urdhrat e Berishës, është pikërisht siç i duhet Edi Ramës.
