Gjatë debatit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, deputeti socialist Bledi Çuçi dënoi dhunën e ushtruar ndaj policisë gjatë protestave, duke e cilësuar atë si një sulm jo vetëm ndaj efektivëve me uniformë, por edhe ndaj institucioneve kushtetuese dhe rendit publik.
Çuçi theksoi se e drejta për të protestuar është e garantuar nga Kushtetuta, por sipas tij, dhuna dhe vandalizmi nuk mund të tolerohen. Ai bëri dallimin mes efektivëve të policisë, të cilët kanë detyrimin ligjor për të ruajtur rendin publik, dhe personave që, sipas tij, kanë përdorur maska dhe molotovë gjatë protestave.
Deputeti socialist kërkoi që organet ligjzbatuese të marrin masa ndaj personave që sulmojnë institucionet shtetërore dhe subjektet private, duke u bërë thirrje edhe anëtarëve të tjerë të komisionit të mbajnë një qëndrim të qartë kundër dhunës.
Sipas Çuçit, Shqipëria dallon nga vendet e tjera europiane për raportin e të plagosurve gjatë protestave, duke pretenduar se numri i efektivëve të policisë të lënduar është më i lartë se ai i protestuesve. Ai gjithashtu argumentoi se policia ka reaguar kur është ushtruar dhunë ndaj saj.
“Protesta është e ligjshme, njerëzit kanë të drejtën kushtetuese, morale, etike të protestojnë, por dhuna është e patolerueshme”, deklaroi Çuçi gjatë debatit në komision.
Bledi Çuçi: Dhe do ishte shumë e sinqertë nga ju thirrja për të reflektuar në aspektin që ju parashtruat nëse do ta fillonit sigurisht me një qëndrim të cilin duhet ta mbajmë të gjithë bashkë, sidomos ne të Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes që lidhet me dhunën që është ushtruar ndaj policisë. Një dhunë brutale, që është një dhunë jo thjesht ndaj individëve të veshur me uniformë, po është një dhunë ndaj institucioneve kushtetuese të Shqipërisë, ndaj institucioneve që garantojnë rendin publik në Shqipëri. Dhe pastaj sigurisht flasim edhe për përgjegjësitë që ka çdokush që tejkalon masën apo që shkel ligjin duke përdorur autoritetin që i ka dhënë vetë ligji. Ka një ndryshim shumë të madh koleg, midis maskave me molotov në dorë edhe policit me uniformë. Polici me uniformë e para ka detyrën, detyrimin kushtetues që të mbrojë rendin publik. Autoriteti i forcës në një shtet demokratik padiskutim që është monopol i strukturave shtetërore.
Dhe ka një ndryshim të madh për dy arsye. E para, sepse polici me uniformë vepron në bazë të ligjit edhe të të drejtave dhe detyrimeve sigurisht që krijon korpusi ligjor për atë që vesh uniformën. Dhe e dyta, që përgjegjësia që ai mban personale padiskutim që është subjekt i një hetimi, edhe ky në bazë të strukturave të ngritura me ligj. Ndërsa maskat me molotov, që nuk kanë të bëjnë fare me as me protestat e të gjitha grupeve shoqërore që mund të kenë dalë në të gjithë këtë periudhë në shesh, sigurisht që ato duhet të marrin ndëshkimin e duhur nga ligji.
