Pjesëmarrje rekord në zgjedhjet parlamentare në Izrael, ku qytetarët po vendosin nëse Benjamin Netanyahu do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet apo vendi do të ketë një qeveri të re. Deri në orën 17:00 me orën lokale kishin votuar 66.7% ose mbi 4.9 milionë zgjedhës, niveli më i lartë i pjesëmarrjes në këtë orë në 50 vitet e fundit.
Gara mes kryeministrit Netanyahu dhe rivalit të tij kryesor, Gadi Eisenkot, është shoqëruar me akuza për manipulim të zgjedhjeve, thirrje për mobilizimin e votuesve dhe përplasje për orarin e mbylljes së qendrave të votimit.
Partia Likud e Netanyahut ka kërkuar që votimi të vazhdojë përtej orës 22:00, ndërsa Eisenkot e kundërshton zgjatjen. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet ta shqyrtojë kërkesën gjatë një mbledhjeje të posaçme.
Në këto zgjedhje janë thirrur rreth 7,3 milionë qytetarë për të zgjedhur 120 deputetët e parlamentit izraelit. Janë zgjedhjet e para parlamentare që prej sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe luftërave që pasuan në Gaza dhe Iran.
Pjesëmarrja e lartë ka sjellë radhë në qendrat e votimit. Për të lehtësuar procesin, Komisioni Zgjedhor ka lejuar votimin edhe me dokumente identifikimi të skaduara, me kusht që fotografia të mundësojë identifikimin e zgjedhësit.
Netanyahu kërkon vota dhe akuzon për manipulim, opozita i përgjigjet
Në orët e fundit të votimit, Netanyahu u ka bërë vazhdimisht thirrje mbështetësve të partisë së tij, Likud, të shkojnë në qendrat e votimit. Kryeministri ka pretenduar se votuesit e majtë po marrin pjesë masivisht, ndërsa ata të djathtë nuk janë mobilizuar mjaftueshëm.
Ai ka hedhur gjithashtu akuza për përpjekje për manipulimin e zgjedhjeve, duke iu referuar arrestimit të tre personave që, sipas tij, kishin lidhje me partinë arabe Ra’am dhe ishin kapur me zarfe me para në jug të vendit.
“Është koha të zgjoheni. Shkoni të votoni dhe bindni edhe të tjerët. Votoni Likudin”, shkroi Netanyahu në rrjetin social X. Më pas, gjatë votimit me bashkëshorten Sara në Jerusalem, deklaroi: “Po përpiqen të na vjedhin zgjedhjet”. Ai paralajmëroi gjithashtu se një fitore e opozitës me mbështetjen e partive arabe do të sillte “fundin e Izraelit siç e njohim deri më sot”.
Partia Yashar e Gadi Eisenkotit i ka hedhur poshtë akuzat e kryeministrit, duke pretenduar se ai po përgatit terrenin për të kundërshtuar rezultatin në rast humbjeje.
“Netanyahu është në panik dhe ka filluar të shpikë histori, duke pretenduar se zgjedhjet janë manipuluar. Nuk është rastësi. Ai po hedh që tani bazat për të kundërshtuar rezultatet zgjedhore”, deklaroi partia e Eisenkotit.
Yashar u ka kërkuar mbështetësve të votojnë për të siguruar një diferencë sa më të madhe ndaj Likudit.
Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se nuk ka të dhëna që provojnë manipulime sistematike të fletëve të votimit. Sipas institucionit, çdo denoncim për raste të veçanta po shqyrtohet.
Pjesëmarrja e votuesve arabë dhe përplasjet mes partive
Një tjetër zhvillim që ka tërhequr vëmendjen është pjesëmarrja e lartë e qytetarëve arabë në votime. Kjo ka nxitur thirrje të reja për mobilizim nga aleatët e Netanyahut.
Ministri i ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir, u kërkoi mbështetësve të partisë së tij të votojnë, duke deklaruar: “Përqindjet e votimit në sektorin arab janë të çmendura. Mos i lini të fitojnë!”
Pjesëmarrje e lartë është regjistruar edhe në zonat ku jetojnë komunitetet hebraike ultraortodokse, të cilat tradicionalisht mbështesin partitë aleate të Netanyahut. Një prej çështjeve kryesore të debatit politik mbetet përjashtimi nga shërbimi ushtarak i burrave që studiojnë në shkollat fetare.
Edhe ushtarët izraelitë kanë votuar në një përqindje më të lartë se në zgjedhjet e mëparshme. Deri në orën 13:00, pjesëmarrja mes tyre kishte arritur në 48%, krahasuar me 44,4% në të njëjtën orë në vitin 2022.
Ndërkohë, gjatë një aktiviteti elektoral në Tel Aviv, një burrë me thikë iu afrua Yair Golanit, ish-gjeneral dhe drejtues i një prej partive të opozitës. Sipas partisë së tij, truprojat ndërhynë përpara se personi të kryente ndonjë veprim, ndërsa policia e ndaloi.
Netanyahu përballë Eisenkotit, kush mund ta formojë qeverinë?
Këto zgjedhje janë një provë për Benjamin Netanyahun, kryeministrin më jetëgjatë në historinë e Izraelit, i cili përballet me kritika për dështimet e sigurisë përpara sulmeve të 7 tetorit 2023 dhe për mënyrën se si ka drejtuar vendin gjatë konflikteve që pasuan.
Rivali i tij kryesor, Gadi Eisenkot, ish-shef i ushtrisë izraelite, drejton të ashtuquajturin “blloku i ndryshimit”, ku bëjnë pjesë parti me qëndrime të ndryshme politike, por që synojnë t’i japin fund qeverisjes së Netanyahut.
Sondazhet e publikuara përpara zgjedhjeve nuk i jepnin asnjërit prej dy kampeve 61 mandatet e nevojshme për të siguruar shumicën në parlamentin me 120 vende.
Qendrat e votimit janë parashikuar të mbyllen në orën 22:00 me orën izraelite, 21:00 në Shqipëri, nëse nuk miratohet kërkesa për zgjatjen e orarit. Pas mbylljes pritet të publikohen sondazhet e para në dalje të votuesve, ndërsa një pjesë e votave të ushtarëve dhe rezervistëve do të numërohen të mërkurën.
Nëse asnjëri kamp nuk arrin të sigurojë shumicën parlamentare, partitë do të duhet të negociojnë për formimin e qeverisë. Izraeli është përballur edhe më parë me bllokime të tilla politike: mes viteve 2019 dhe 2022, vendi zhvilloi pesë palë zgjedhje për shkak të vështirësive në krijimin e një shumice qeverisëse.
