Kryeministri Edi Rama, në një komunikim për mediat, ka njoftuar disa masa të reja kundër evazionit fiskal, si dhe ndryshime në sistemin e taksimit.
“Ka ardhur koha për një sistem të ri taksimi. Po përgatitet një projekt i veçantë nga Ministria e Financave. Po punohet edhe për disa masa të reja solidariteti me ata që e ndiejnë më shumë presionin nga rritja dhe zhvillimi i shpejtë ekonomik”, u shpreh Rama.
Ndër masat e paralajmëruara janë një supertaksë prone për ata që blejnë dhe mbajnë apartamente bosh, një supertaksë për vilat në bregdet, si dhe një çmim shumëfish më i lartë për ujin që përdoret në pishina.
Gjithashtu, në paketën e re fiskale parashikohet edhe një supertaksë për makinat luksoze.
Masat synojnë të jenë pjesë e një pakete të re fiskale, ndërsa detajet e plota pritet të bëhen të ditura nga Ministria e Financave.
