Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Kryesore

Paketa antidhunë/ Miratohen tre nismat e para, gjobë deri në 500 mijë lekë për të maskuarit e dhunshëm, hyjnë dhe në “listën e zezë”

20:08 / October 28, 202610 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
KM
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Ashtu siç kishte paralajmëruar disa ditë më parë kryeministri Edi Rama, qeveria i dha dritën jeshile disa prej pikave të paketës anti-dhunë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Përmes aktit normativ, që do të thotë se ndryshimet hyjnë në fuqi menjëherë pa pasur nevojën e miratimit së pari në parlament u miratuan ndryshimet në ligjin për tubimet.

Por çfarë parashikojnë këto ndryshime?

3 janë pikat kryesore. Së pari ligji përcakton se kur policia ka dyshime për dhunë, mund të ndalojë tubimet për 72 orë në një perimetër të caktuar:

“Kur ka rrezik real, serioz e të afërt, të bazuar në fakte konkrete, për dhunë ndaj personave ose për dëmtime të rënda të pronës, drejtuesi i drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose të kufizojë tubimet në një perimetër të përcaktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore, për një periudhë jo më të gjatë se 72 orë.  Ai mund të rinovohet vetëm një herë, me vendim të ri të arsyetuar.”

Ndërhyrje edhe në përmbajtjen online për t’i parandaluar ato, në rastet kur bëjnë thirrje për dhunë në protesta:

“Kur nëpërmjet rrjeteve sociale, postës elektronike dhe/ose komunikimeve telefonike, përcillen, publikohen ose shpërndahen mesazhe, që përmbajnë thirrje për dhunë, në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi, Policia e Shtetit, pasi identifikon llogarinë, adresën elektronike ose numrin e telefonit, nëpërmjet të cilit është kryer komunikimi, i dërgon mbajtësit të llogarisë, adresës elektronike ose numrit të telefonit, një njoftim nëpërmjet të njëjtit kanal komunikimi, me anë të të cilit i kërkon fshirjen e përmbajtjes.”

Ndryshimet në ligj parashikojnë gjoba për 9 kategori shkeljesh, kur ato nuk përbëjnë vetëm penale, që nisin nga 100 mijë lekë deri në 500 mijë lekë, për ata që janë të maskuar në protesta dhe nën maska, kryejnë dhunë.

“Fshehja e identitetit dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000, ndërsa mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, dhe në rastet kur personi, ndaj të cilit është dhënë urdhri i shpërndarjes, është me identitet të fshehur, dënohet me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.”

Mes këtyre, 9 gjobave të parashikuara, 5000 lekë është ndëshkimi administrativ për ata që bllokojnë rrugët gjatë protestave.

Qeveria ka krijuar dhe regjistrin e posaçëm me emrat e personave të përfshirë në akte te dhunshme gjatë manifestimeve publike.

Pasojat do të jenë konkrete. Nëse personi që figuron në këtë listë, do të paraqitet në kufi për të dalë jashtë vendit, policia, ka të drejtën t’ia refuzojë lëvizjen drejt një shteti tjetër “kur nga verifikimi individual rezultojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme gjatë manifestimeve e grumbullimeve publike edhe nëse ndaj personit nuk është vendosur masa e sigurimit për ndalimin e largimit jashtë shtetit.”

Emrat që do të jenë pjesë e Regjistrit të Posaçëm do t’u njoftohen edhe hoteleve dhe strukturave akomoduese.

A K T  N O R M A T I V

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8773, DATË 23.4.2001, “PËR TUBIMET”

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në ligjin nr.8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Pas nenit 12 shtohen nenet 12/1 e 12/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 12/1

Kufizimet e përkohshme rreth objekteve të përcaktuara

1. Kur ka rrezik real, serioz e të afërt, të bazuar në fakte konkrete, për dhunë ndaj personave ose për dëmtime të rënda të pronës, drejtuesi i drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose të kufizojë tubimet në një perimetër të përcaktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore, për një periudhë jo më të gjatë se 72 orë.

2. Vendimi përcakton saktësisht perimetrin, kohëzgjatjen dhe arsyet, publikohet menjëherë në mënyrë të aksesueshme dhe zbatohet vetëm pas publikimit. Ai mund të rinovohet vetëm një herë, me vendim të ri të arsyetuar.

3. Çdo person i interesuar mund ta ankimojë vendimin në gjykatën administrative, e cila vendos brenda 48 orëve. Ankimi nuk e pezullon zbatimin, përveç kur gjykata vendos ndryshe.

4. Kufizimi nuk mund të përfshijë të gjithë territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore dhe nuk zbatohet ndaj të miturve të shoqëruar nga prindi, kujdestari ligjor ose një i rritur përgjegjës, kur ata kalojnë nëpër perimetrin e përcaktuar për të shkuar ose për t’u kthyer nga shkolla, vendbanimi, institucioni shëndetësor, institucioni i përkujdesjes sociale ose një veprimtari edukative, kulturore apo sportive.

5. Ky nen nuk cenon kompetencën e drejtuesit të komisariatit të policisë për ndalimin ose kufizimin e një tubimi të caktuar, sipas nenit 8, të këtij ligji.

Neni 12/2

Urdhri i largimit nga zonat e mbrojtura

1. Në kuptim të këtij ligji, zona të mbrojtura janë:

a) stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet dhe aeroportet;

b) perimetri rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore;

c) zonat e tjera të përcaktuara me vendim të këshillit bashkiak të botuar dhe të shënuara në terren, kur atje janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.

2. Punonjësi i Policisë së Shtetit mund të urdhërojë një person të largohet nga një zonë e mbrojtur për një periudhë jo më të gjatë se 48 orë, kur personi, me sjelljen e tij konkrete, kanos, ngacmon në mënyrë të përsëritur ose ushtron dhunë ndaj personave, dëmton pronën ose pengon me dhunë aksesin dhe përdorimin e zonës.

3. Urdhri jepet me shkrim, përmban faktet konkrete dhe arsyet, mbi të cilat mbështetet, përcakton zonën, nga e cila personi duhet të largohet, dhe kohëzgjatjen e masës, si dhe i njoftohet personit, të cilit i dorëzohet një kopje. Ai nuk zbatohet për vendbanimin, vendin e punës, institucionin arsimor, institucionin shëndetësor, ku personi trajtohet, dhe zyrën e avokatit.

4. Urdhri nuk mund të jepet për shkak të pjesëmarrjes në një tubim paqësor, për shkak të karakteristikave personale të personit, statusit social, kombësisë ose pamjes së tij, apo vetëm për shkak të precedentëve penalë.”.

Neni 2

Pas nenit 19 shtohet neni 19/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 19/1

Thirrjet për dhunë nëpërmjet rrjeteve sociale gjatë organizimit dhe zhvillimit të tubimeve

1. Kur, nëpërmjet rrjeteve sociale, postës elektronike dhe/ose komunikimeve telefonike, përcillen, publikohen ose shpërndahen mesazhe, që përmbajnë thirrje për dhunë, në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi, Policia e Shtetit, pasi identifikon llogarinë, adresën elektronike dhe/ose numrin e telefonit, nëpërmjet të cilit është kryer komunikimi, i dërgon mbajtësit të llogarisë, adresës elektronike ose numrit të telefonit, një njoftim nëpërmjet të njëjtit kanal komunikimi, me anë të të cilit i kërkon fshirjen e përmbajtjes, si dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla, duke e vënë në dijeni se ato përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi.

2. Në njoftimin e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, Policia e Shtetit i ofron personit mundësinë për të përfituar mbështetje psikologjike apo trajtime të tjera të specializuara, kur vlerësohet se ka nevojë për to.

3. Në rast se përmbajtja nuk fshihet ose veprimet e parashikuara në  pikën 1, të këtij neni, përsëriten, Policia e Shtetit ndërmerr masat përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.

Neni 3

Pas pikës 2, të nenit 21, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Përjashtimisht, Policia e Shtetit regjistron me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimit dhe aktet e dhunës ndaj personave ose dëmtimet e pronës gjatë tubimit, sipas ligjit për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga dhuna dhe dëmtimet e pronës gjatë tubimeve në hapësirën publike. Regjistrimet ruhen e përpunohen sipas atij ligji dhe ligjit nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale.”.

Neni 4

Në nenin 24 bëhen këto ndryshime:

1. Në shkronjat “a” dhe “b”, fjalët “… nga 1000 deri në 10 000 lekë …” zëvendësohen me “… nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.

2. Në shkronjën “c”, pas fjalëve “… me gjobë …” shtohen “… në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.

3. Në shkronjën “ç”, pas fjalëve “… me gjobë …” shtohen “… në masën nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.

Neni 5

Pas nenit 24 shtohet neni 24/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 24/1

Kundërvajtjet administrative

1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë:

a) Pjesëmarrja në një tubim të ndaluar, në kundërshtim me nenet 8 dhe 12/1, të këtij ligji, dënohet më gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

b) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjat “a” dhe “c”, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

c) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjën “b”, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë;

ç) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjën “b”, të nenit 9, të këtij ligji, dhe në rastet kur personi, ndaj të cilit është dhënë urdhri i shpërndarjes, është me identitet të fshehur, dënohet me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;

d) Moszbatimi i urdhrit të largimit nga zona e mbrojtur, të nxjerrë në përputhje me nenin 12/2, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

dh) Fshehja e identitetit në kundërshtim me nenin 19, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë. Sanksioni i parashikuar në këtë shkronjë nuk zbatohet kur mbulimi i fytyrës justifikohet nga një shkak i ligjshëm, përfshirë arsye shëndetësore, fetare, si dhe ushtrimin e një veprimtarie profesionale, përfshirë gazetarinë dhe medien, ofrimin e ndihmës mjekësore ose vëzhgimin e tubimit;

e) Përdorimi i uniformës, i shenjave ose i simboleve, në kundërshtim me nenin 20, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

ë) Mosbindja ndaj thirrjeve për largim, sipas nenit 23, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

2. Bllokimi i rrugëve automobilistike ose i akseve rrugore gjatë zhvillimit të një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, kur veprimi nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 5 000 (pesë mijë) lekë për çdo ditë bllokimi, për çdo person fizik (individ), që merr pjesë në bllokim, pavarësisht kohëzgjatjes së bllokimit gjatë asaj dite.

3. Gjobat vendosen nga Policia e Shtetit, në përputhje me ligjin nr.10279,       datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.”.

Neni 6

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

500 mije antidhune gjobe Miratohet pakete
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Brnabiç ngre alarmin: Po përgatitet arrestimi i Vuçiçit, synimi është largimi i tij nga politika

21:10 / October 28, 2026

Nxitjet për dhunë në protestë, hyn në “fushë” Anti-Terrori, në hetim Gent Progni, linçoi policët

19:30 / October 28, 2026

Ministrja e Shëndetësisë: Erjon Vishkulli e ka kaluar me sukses ndërhyrjen

15:50 / October 28, 2026

Rama paralajmëron taksë për influencerët dhe tregtinë online: Përgatitet sistemi i ri i tatimit për ekonominë digjitale

15:15 / October 28, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.