Nga Lorenc Vangjeli
Më në fund Rama dha një përgjigje politike ndaj protestave që po ia sfilitin qeverinë, imazhin e nervat prej pesë muajsh. Afroi një paketë fiskale që është totalisht një akt politik. dhe duhet gjykuar vetem si i tille. Si kapiten i një anijeje që po fut ujë dhe po braktiset nga minjtë e brejtësit e tjerë që e miklonin deri dje, ai e ktheu timonin e saj majtas. Kerkoi te rrije vete i fundit ne bord dhe hodhi në ujëra të panjohura oligarkët e super të pasurit e vendit dhe ftoi me dëshpërim po në bord të varfërit, shumicën dërmuese të popullsisë së vendit.
Ka edhe më shumë. Kjo është një ofertë për të varfërit dhe ka në filozofinë e saj ndreqjen e një prej mëkateve më të mëdha që është konsumuar kriminalisht e në heshtje gjatë këtyre viteve: shpërndarja totalisht e padrejtë e pasurisë së krijuar mbi pasurinë e përbashkët, Shqipërinë, tek e cilia janë të gjithë aksionere. Eshtë edhe më shumë se rikthimi i birit në shtëpinë natyrale të së majtës modeste si një playboy i lodhur nga aktrimi i gjatë si aristokrat evropian i të djathtës tradicionale.
Oferta e re e Rames eshte një ndryshim kursi, është një ndryshim total i modelit të deri sotëm ekonomik. Eshte edhe nje ushtrim muskujsh për cdo të papritur elektorale. Përfshi edhe zgjedhjet e parakohshme.
Mbetet të verifikohet sesa dhe sesi do të aplikohen në praktikë këto masa dhe a ka edhe kohë në dispozicion për t’i jetësuar ato. Ato po merren fiks në kohën kur edhe vetë Rama është vënë në dijeni sesi disa nga “oligartët” e tij, po largojnë para cash nga Shqipëria. Dhe jo me canta, jo me dyshekë apo llogari bankare, por me kamionë!
Pjesa financiare e këtij akti të guximshëm politik është shumë më shumë se aritmetikë fiskale. Ato kanë në thelb një filozofi të thjeshtë: paguan më shumë, kush fiton më shumë! Dhe se meshira sociale nuk del kurre nga moda.
Ndoshta i bindur më së fundi se modeli ekonomik që ka instaluar deri më tani është në prag të kolapsit dhe është edhe një nga shkaqet kryesore të pakënaqësisë, Rama premton dy lëvizje bazë. Uljen e TVSH-së në ushqimet e shportës dhe premtimin për dyfishim të pensioneve. Shqipëria ishte vendi me normën më të lartë të TVSH-së në rajon për produktet e shportës. Me zbritjen e saj në 6 për qind nga 20 qe ishte, Rama e con atë në dyshemenë e poshtme, po krahasuar me vendet e rajonit. Kjo gje con automatikisht e logjikisht në uljen e cmimeve të atyre produkteve, cka shkon direkt në favor të shtresave më të margjinalizuara të shoqërisë: më të varfërit e të varfërve, pensionistët dhe ata me të ardhura shumë të ulëta, të cilët mund të kenë tashmë më shumë e më lirë në magjen e tyre vetjake miell, vezë, mish, peshk, bulmetra, vaj, sheqer, makarona e të tjerë, përfshi edhe ushqimet bazë të foshnjeve dhe frutat. Dhe nuk ndalet këtu, të parëve ju premton edhe dyfishimin e lëmoshës sociale të deri tanishme, pensionit, për ta cuar në një nivel minimalisht të pranueshëm.
Heqja e taksës së qarkullimit që vilej tek karburantet, së paku sipas Ramës sjell rreth 30 lekë më pak në cmim për to direkt tek pompa e benzinatës, por në skajin tjetër. të pasurit do të paguajnë supertaksë për makinat e tyre luksoze. Madje edhe ujin e pishinave, që e mbushnin me raste edhe me shampanjë, do ta paguajnë shumëfish më shumë. Më tej akoma, vilat në bregdet e shtëpitë e tyre bosh, do të taksohen më shumë dhe do të kushtojnë më shtrenjtë. Taksa dyfishe për dividentin, rritja e normës së përgjithshme të TVSH—së, e tatimit për hotelet me pesë yje e më pak edhe për agroturizmin, jane vijimi i menuse se hidhur per te pasurit.
Deri dje, duke u sjellë si CEO i përgjithshëm i bizneseve më të mëdha në vend, Rama besonte ndoshta sinqerisht se Shqipëria dukej seksi vetëm përmes bilanceve të tyre financiare. Duke lënë të kënaqur një grusht minimal individësh, ai besonte se ata mund të shërbenin edhe si hambar elektoral i tij me fakirët që punonin për ta. Kur jepte leje për ndërtim getosh luksi në bregdet, me klientë të dedikuar ose grabitësit e admministratës së tij, ose njerëz me të shkuar e të ardhura kriminale, kur ju falte plazhin dhe taksat si investitorë strategjikë, besonte se shumica dërmuese e popullsisë duhej t’i shihte ato si model zhvillimi. Të varfërit refuzuan ta bëjnë. Ndaj Rama vendosi më në fund ta shohë Shqipërinë përmes syve të tyre.
Opozita u ngrit në blllok ndaj kësajj lëvizjeje të papritur. Instikti i saj i mohimit të gjithckaje që vjen nga zyrat e qeverisë dhe jo korrigjimit apo pjessmarrje ne te, e le opoziten në rastin më të mirë në një pozicion qesharak dhe kundërshtues ndaj përfituesve të mundshëm të kësaj pakete. E ve paradoksalisht përballë të varfërve që janë dhe shumica dërmuese e shqiptarëve. Në llogari të fundit, edhe njëherë Rama që po i sheh sot të gjithë yjet në pozicion agresiv kundër tij, mund t’i lutet ende yllit të mbarë që i ka falur një opozitë të tillë. Nje opozite te cilen, me kusht që të mos i ndodhin aksidente te tjera domethënëse në rrugën e SPAK-ut, me gjasë do ta sfidojë edhe me zgjedhje të parakohshme. Duke mbajtur në dorë flamurin e të varfërve, kundër të pasurve që vetë i krijoi.
